Mauritania, ‘Kosova’ e Afrikës në futboll

Mauritania, ‘Kosova’ e Afrikës në futboll

Sport June 23, 2019 - 16:30
Detajet

Deri para pak kohësh Mauritania ishte një ndër Kombëtaret më të dobëta në botë dhe që të futej në Kupën e Afrikës do duhej ndonjë rregullore speciale, që do lejonte të kualifikoheshin të gjithë, pa asnjë ndeshje kualifikuese

Me pak fjalë, një rast i pashpresë.

Në dhjetor 2006 Mauritania ishte e 206-ta në renditjen botërore të FIFA-s dhe poshtë saj kishte vetëm tre vende (Butani, San Marino dhe Ishujt Turks dhe Kaikos), shkruan Zëri.info.

Megjithatë, tani Mauritania është në Kupën e Afrikës, ku do të debutojë këto ditë.

Në të vërtetë, nuk është një mrekulli e ardhur rastësisht, sepse ngjitja e Mauritanisë deri në vendin e 103-të në botë është një shpërblim për punën inteligjente që është kryer në vendin e vogël afrikan, që deri para pak vitesh as që e vriste mendjen për Kombëtaren.

Mauritania kë një popullsi prej rreth katër milionë banorësh dhe një territor që shtrihet kryesisht në shkretëtirë, ndërsa futbolli, apo çdo lloj sporti, nuk ka qenë ndonjë prioritet.

"Deri para dy vitesh nuk bëhej fjalë të shihje ndokënd me fanellën e Kombëtares veshur, ndërsa tani dyqanet i shesin me shpejtësinë e erës dhe mediat po e mbulojnë futbollin e Kombëtares si kurrë më parë. Kur luan Mauritania, edhe në ndeshje miqësore, gjithçka ndalet për të parë ndeshjen", thotë për “The Guardian” Mamadou Thiam, redaktor i “Rimsport.net”, një nga uebsajtet që ka pasur rritje të jashtëzakonshme falë suksesit të Kombëtares.

"E ndjek Kombëtaren prej vitit 1995 dhe nuk e mendoja kurrë se do vinte kjo ditë.

Në shumicën e dekadave të fundit dilema më e madhe ka qenë a e bënim dot bashkë një skuadër dhe humbjet kanë qenë pa fund", shton ai.

Në periudhën 1995-2003 Mauritania nuk fitoi asnjë nga 33 ndeshje të luajtura dhe në 2012 u përjashtua nga Kupa e Afrikës për shkak se nuk u paraqit në ndeshjet jashtë fushe.

Megjithatë, më pas nisi një revolucion i vërtetë futbollistik, udhëhequr nga Ahmed Yahya, tashmë president federate, i cili në moshën 24-vjeçare kishte me familjen një biznes të suksesshëm peshkimi dhe vendosi të themelonte ekipin FC Nouadhibou, në qytetin me të njëjtin emër, në veri të kryeqytetit Nouakchott, pranë Saharas Perëndimore.

Që kur mori drejtimin e federatës Yahya emëroi spanjollin Luis Fuertes si drejtor teknik të Kombëtares dhe me ndihmën e FIFA-s ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën, me dhjetëra fusha të ndërtuara, kryesisht me bar artificial.

Anembanë vendit tani ekzistojnë 600 klube futbolli, me 65,000 futbollistë të regjistruar.

Në vitin 2014 Yahya emëroi trajner të Kombëtares ish-mbrojtësin e Kombëtares franceze Corentin Martins, i cili sapo ishte pushuar nga Brest në Ligën 2 në Francë, pas tetë humbjesh rresht.

Adama Ba dhe kapiteni i Mauritanisë, Diallo Guidileye, luanin te Brest në atë kohë dhe ia rekomanduan federatës trajnerin e larguar nga puna.

Martins rrëfen: "Kur mbërrita në Mauritani, ekzistonte një kampionat futbolli dhe kaq. Më pas ka ndodhur diçka e paimagjinueshme. Tani janë dy kampionate kombëtare, plus kompeticione nga U15 deri tek U19, edhe për femra. Është ndërtuar një akademi kombëtare dhe shumë fusha artificiale. Këto nuk patën mua si arsye, nuk kam lidhje fare. Është meritë e drejtorit teknik dhe e një presidenti të ri, dinamik dhe ambicioz".

Në një kontinent ku korrupsioni është po aq i zakonshëm sa ajri dhe rëra, është diçka e rrallë që të ekzistojë një realitet i tillë dhe Konfederata Afrikane e Futbollit e zgjodhi në fillim të vitit Yahyan si administratorin më të mirë kombëtar në kontinent.

Martins e ka udhëhequr Mauritaninë drejt dy pjesëmarrjeve në Kampionatin e Vendeve Afrikane, kompeticion për Kombëtaret e bazuara vetëm te lojtarët e kampionateve përkatëse, ndërsa tani vjen pjesëmarrja në Kupën e Kombeve, ëndrra e pamendueshme deri para pak vitesh.

Skenat pas fitores 2:1 ndaj Botsvanës nëntorin e shkuar, kur Mauritania e mbylli e dyta në një grup me Angolën dhe Burkina Fason, ishin diçka që shteti i vogël afrikan nuk i kishte parë dhe imagjinuar kurrë.

"Lojtarë e zyrtarë të federatës, të gjithë duke qarë. Ishte emocioni më i fuqishëm që kam ndjerë ndonjëherë në sport", tha Martins, i cili si futbollist fitoi 3 herë titullin në Francë me Auxerre.

Tani 17 lojtarë të Mauritanisë luajnë jashtë vendit të vet: Guidileye e Ba luajnë në Turqi, Sally Sarr mbylli sezonin me Servette në Zvicër, El Hacen El Id është në Spanjë te Valladolid B dhe sulmuesi në superformë Ismaël Diakité sapo është kthyer në atdhe, pas një periudhe te Ittihad Tanger në Marok.

Tani Mauritania do të sfidojë Malin, Tunizinë dhe Angolën, Kombëtare shumë më të mëdha dhe eksperte, por mrekullitë ndodhin dhe Mauritania nuk ka më frikë asgjë.

Pak a shumë si Kosova, që tashmë është një ndër ekipet më të respektuara në Evropë, ndërsa deri para disa vitesh nuk njihej nga FIFA e UEFA dhe me vështirësi organizohej për ndonjë miqësore jozyrtare./Zëri.info