Mirel Josa rrëfehet për përballjen me Rangersin e Gerrardit

Mirel Josa rrëfehet për përballjen me Rangersin e Gerrardit

Sport June 18, 2019 - 22:47
Detajet

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, ka thënë se nuk dëshiron të mendojë para kohe për ndeshjet e mundshme të bardhekalterve në kualifikime për Ligën e Evropës, por është i përqendruar vetëm në ndeshjen e rrethit preliminar ndaj St Joseph.

Nëse e kalon rrethin preliminar duke e mundur klubin nga Gjibraltari, Prishtina do të përballet me klubin nga Skocia, Rangers, në rrethin e parë kualifikues në përpjekje për t’u kualifikuar në fazën grupore të Ligës së Evropës, garës dytësore evropiane.

Bardhekaltrit do ta zhvillojë ndeshjen e parë ndaj St Joseph më 27 qershor, ndërsa ndeshjen kthyese të enjten pasuese, më 4 korrik, prandaj trajneri Josa e ka mendjen vetëm këtu.

“Pashë shortin që u hodh dhe që do të jetë Rangers në turin e parë eliminator, por të them të drejtën nuk po e mendoj fare. Unë personalisht po mendoj për ndeshjen e parë që kemi ndaj St Joseph’s dhe mendoj se është një skuadër ndaj së cilës mund të bëjmë mirë. Ishte një short i mirë për ne dhe jemi të gatshëm të përballemi me to. Kam nisur të mendoj edhe për skuadrën dhe kemi bërë disa transferime që na ndihmojnë jo vetëm për Ligën e Evropës por edhe për ecurinë e kampionatit dhe për të synuar të arrijmë sa më lart”, deklaroi JoSa për VipSport.al.

Në rast të fitores ndaj klubit nga Gjibraltari, gjë që Josa beson se nënkampioni i Kosovës ka shanse të mira t’ia dalë, atëherë Prishtina do të ndeshet me Rangersin që udhëhiqet nga legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, e cila në sulm e ka shqiptarin Eros Grezda.

Por, Josa nuk deshi ta diskutojë ndeshjen e mundshme me skocezët, duke e pranuar se është klub i nivelit shumë të lartë.

“Rangersin nuk e mendoj pasi edhe diferencat dihen tashmë”, theksoi ai.