Zyrtare: Sarri largohet nga Chelsea për t’u bërë trajner i Juves

Zyrtare: Sarri largohet nga Chelsea për t’u bërë trajner i Juves

Sport June 16, 2019 - 15:19
Detajet

Chelsea dhe Juventusi janë marrë vesh për ndërprerjen e kontratës së Maurizio Sarrit me klubin anglez, transmeton zeri.info

Klubi anglez ka konfirmuar që është arritur marrëveshja për shkëputjen e kontratës së strategut italian, i cili do ta marrë drejtimin e Juventusit.

“Në bisedimet që kemi pasur pas finales së Ligës së Evropës, Maurizio e bëri të qartë dëshirën e tij të madhe për t’u kthyer në vendlindjen e tij, duke shpjeguar se arsyet për rikthimin për të punuar në Itali ishin kuptimplota”, ka deklaruar drejtoresha e Chelseat, Marina Granovskaia.

“Maurizio largohet nga Chelsea me falënderime nga të gjithë ne për punën që ai dhe ndihmësit e tij kanë bërë gjatë sezonit të kaluar si trajner i yni, dhe për fitoren në Ligën e Evropës, udhëheqjen drejt një tjetër finale të Kupës dhe përfundimin në vendin e tretë në Premierligë”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, Juventusi ka bërë të ditur se Sarri ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me klubin torinez.

Mediet angleze raportojnë se zëvendësuesi i Sarrit te Chelsea pritet të jetë ish-futbollisti Frank Lampard, i cili momentalisht është në krye të Derby Countyt./Zëri

Image