E pranojnë bullgarët: Kosova turpëroi një komb të tërë

E pranojnë bullgarët: Kosova turpëroi një komb të tërë

Sport qershor 12, 2019 - 08:11
Detajet
Image

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Vasil Levski” të Sofjes kishte tifozë nga e gjithë gjeografia shqiptare, madje disa dhjetëra kishin ardhur edhe nga Anglia e nga Skocia, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Pas dy barazimeve me rezultate identike (1:1) në dy ndeshjet e para në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2020 me Bullgarinë në Prishtinë dhe me Malin e Zi në Podgoricë, të përzgjedhurit e Bernard Challandesit kishin udhëtuar për në Sofje të Bullgarisë me shumë optimizëm për një rezultat të favorshëm. Loja e mirë e “Dardanëve” në dy ndeshjet e para, nga të cilat nuk morën atë që merituan - fitoren, ishte radha e një trepikëshi në kryeqytetin bullgar. Dhe ashtu ndodhi.

Krenari, pa fund

Përfaqësuesja e Kosovës pas barazimit me Malin e Zi në Podgoricë menjëherë kishte udhëtuar për në Sofje, atje ku e priste sfida e tretë kualifikuese. Optimizmi i futbollistëve tanë për një trepikësh dukej se ishte i realizueshëm, pasi tashmë ata po luanin lojë që pëlqehej nga të gjithë, madje ndër ekipet rivale ishte futur një dozë frike. Që në konferencën me gazetarë një ditë para sfidës së 10 qershorit përzgjedhësi Bernard Challandes dhe njëri prej futbollistëve tanë më të mirë, Milot Rashica, i kishin paralajmëruar rivalët e tyre bullgarë se ata synonin tri pikë nga sfida që do të zhvillohej në stadiumin “Vasil Levski”. Tre gola të shënuara nga Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Elbasan Rashani ia dhuruan fitoren e parë Kosovës në garat kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2020. Loja e treguar nga ana e futbollistëve tanë ishte e nivelit më të lartë, por ajo që duhet vlerësuar shumë ishte karakteri i treguar nga futbollistët tanë, që pas disavantazhit prej 1:2 arritën të shënojnë fitore historike, duke shkuar tashmë në kuotën e 5 pikëve (një fitore, dy barazime) në Grupin A kualifikues, në të cilin gjenden edhe Anglia, Çekia, Mali i Zi dhe Bullgaria.

“Dardanët” për dhjetëshe

Si rrallëherë, ndeshja me Bullgarinë kishte zgjuar interesim të madh ndër dashamirët e futbollit jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Tifozë nga të gjitha anët e Evropës kishin marrë rrugë për në qytetin bullgar, Sofje, për të qenë sa më afër futbollistëve të përfaqësueses së Kosovës, për t’i përkrahur ata në rrugëtimin e tyre drejt finaleve të Evropianit. Rrugët e Sofjes ishin mbushur me adhurues të “Dardanëve”, të cilët në çdo cep të kryeqytetit bullgar bisedonin për ndeshjen e së hënës. Ndërkohë, te bullgarët ndeshja me Kosovën nuk paraqiste ndonjë interesim të madh, pasi për dy ditë nuk vërejtëm ndonjë organizim të tifozëve bullgarë. “Dardanët” kishin udhëtuar me numër të madh në Sofje, por që nuk dihej numri i saktë i tyre. Të vendosur në dy hotele në qendër të Sofjes, “Dardanët” e kishin filluar festën e tyre dhe përkrahjen shumë kohë para fillimit të sfidës, teksa ata ishin nën “mbikëqyrjen” e policisë bullgare. Pos atyre që kishin ardhur nga Kosova dhe shtetet përreth, për notë të lartë ishte organizimi dhe udhëtimi i dy grupeve të tifozëve nga Britania e Madhe, më saktësisht nga Londra (“Dardanët” e Londrës) dhe nga Skocia. Ndonëse numri i tyre llogaritej të ishte rreth 2 mijë sosh, ata në “Vasil Levski” qitën nën hije “rivalët” e tyre në anën tjetër. Për 90 minuta lojë ata nuk reshtën së brohorituri për idhujt e tyre. Atyre u erdhi shpërblimi - fitorja nga djelmoshat e trajnerit Bernard Challandes.

“Eksesi” në tribunën VIP

ndeshja po zhvillohej, për një moment tifozët e vendosur në tribunën qendrore harruan atë që po zhvillohej në fushë. Vrapimi i kujdestarëve në drejtim të tribunës VIP na bëri të kuptojmë se jogjithçka ishte në rregull. Edhe “yryshi” i policëve të Njësisë Speciale në drejtim të kësaj tribune ishte një paralajmërim se diçka ndodhi. Në pjesën ku ishin të vendosur kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ai i Drenasit Rramiz Lladrovci po “zihej” diçka. Pas përfundimit të ndeshjes morëm informacion se tollovia ishte shkaktuar nga një tifoz bullgar, i cili i pakënaqur me futbollistë të kombëtares së tij kishte gjuajtur një shishe uji vetëm pak metra më larg, aty ku kishte shumë tifozë të ardhur nga Kosova. Një moment tjetër jo i mirë në ndeshjen e së hënës ishte edhe alivanosja e nënkryetarit të FFK-së Predrag Jovic, të cilit ndihmën e parë ia ofruan ish-nënkryetari Bekim Haxhiu-Kamishi dhe zëvendëssekretari i FFK-së Arianit Ahmeti, ndërsa ekipi mjekësor bullgar reagoi shpejt dhe me kohë për t’i ndihmuar Jovicit, i cili më pas u transferua në spitalin e Sofjes, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mësohet të jetë e qëndrueshme.

E pranojnë edhe bullgarët - Kosova ishte më e mirë

Ndërkohë për fitoren e Kosovës ndaj Bullgarisë me rezultat 3:2 kanë shkruar edhe mediet bullgare, të cilat shkruajnë se Bullgaria e kishte pësuar humbjen më turpëruese në histori. “Kombëtarja e Bullgarisë e përjetoi njërën ndër humbjet më të turpshme në histori kundër Kosovës në stadiumin ‘Vasil Levski’. Problemi më i madh ishte se disfata ishte e merituar, pavarësisht disa momenteve të mira gjatë ndeshjes”, shkruan “Sportal.bg”./Zëri.info