Abrashi: T’i luajmë ndeshjet si finale

Abrashi: T’i luajmë ndeshjet si finale

Sport qershor 11, 2019 - 23:54
Detajet

Amir Abrashi është “motori” i Kombëtares Shqiptare, që edhe sot vrapoi pa fund duke ndihmuar si mbrojtjen, ashtu edhe sulmin në fitoren 2:0 ndaj Moldavisë. 

Në përfundim të takimin, në lidhje direkte me emisionin “Kuqezi”, Abrashi u shpreh i kënaqur për fitoren, që riktheu Shqipërinë në garë për kualifikim.

Fitore e vuajtur ndaj Moldavisë…
E dinim që nuk do të ishte e lehtë dhe duhej të shfrytëzonim maksimalisht çdo rast, për të zhbllokuar këto ndeshje. Humbëm disa raste, por më pas shënoi Cikalleshi, duke na nxjerrë nga një situatë e vështirë.

Mendoni se ky sukses rrit shpresat për kualifikim?
Edhe në Islandë kemi luajtur mirë, por nuk kemi pasur fat. Tani pas kësaj ndeshjeje do të jemi më të përqendruar dhe të angazhuar për të bërë sa më mirë dhe për t’i luajtur sfidat e tjera si finale.