Saviçeviq kritikon Muriçin që zgjodhi Kosovën, lavdëron Beqirajn që zgjodhi Malin e Zi

Saviçeviq kritikon Muriçin që zgjodhi Kosovën, lavdëron Beqirajn që zgjodhi Malin e Zi

Sport May 25, 2019 - 18:01
Lexoni detajet

Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviq, e ka kritikuar ashpër portierin kosovar të Manchester Cityt, Arijanet Muriqin, ndërsa e ka lvadëruar Fatos Beqirajn nga Peja, që zgjodhi Kombëtaren malaziase.

Kosova dhe Mali i Zi do të përballen në Podgoricë më 7 qershor, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Kjo ndeshje e Grupit A do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, pasi që Mali i Zi është dënuar nga UEFA për thirrjet raciste në ndeshjen kundër Anglisë, transmeton Gazeta Express.

Para kësaj përballjeje, presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviq, e kritikoi Muriçin për zgjedhjen e tij që të luajë për Kosovën, ndërsa shtoi se Beqiraj do të luajë me vullnet dhe dëshirë për Malin e Zi.

“Muriçi kushtëzoi Federatën tonë për të luajtur në kombëtaren A, edhe pse nuk kishte asnjë minutë të vetëm me klubin e tij. Ne i thamë atij se do të jetë në kombëtaren A kur ta ruajë portën e klubit. Ne nuk mund ta ftonim atë për shkak të lojtarëve tjerë, të cilët nga të rinjtë e kërkojnë A-n”, deklaroi Saviçeviq për “TVCG”.

“Fatosi do të ketë motiv, ai gjithmonë luan me vullnet dhe dëshirë për Mali e Zi. Kur të fillojë loja, asgjë nuk do të ketë rëndësi.

Portieri perspektiv i Manchester Cityt, Arijanet Muriçi, u bë shqiptari i parë që hoqi dorë nga Mali i Zi për t’iu bashkuar Kosovës. Ai ishte pjesë e ekipit U-21 të Malit të Zi, por në gusht të vitit 2018 iu bashkua Kosovës, me të cilën 20-vjeçari i ka regjistruar tashmë tri paraqitje. Muriçi ka lindur në Zvicër, por ka origjinë shqiptare nga Mali i Zi.

Muriçi sikur e “theu akullin” për futbollistët me prejardhje shqiptare nga Mali i Zi. Rrugën e tij së fundmi e ka ndjekur Ibrahim Dresheviq. 22-vjeçari është njëra prej risive në listën e Kosovës që e ka publikuar Bernard Challandes të mërkurën për dy ndeshje e radhës kualifikues për “Euro 20020”. Ibrahim Dresheviqi ka lindur në Suedi dhe ka prejardhje shqiptare nga Tuzi malazez. Ai luan në Holandë për Heerenveen.

Dresheviqi ka luajtur edhe për të rinjtë e Suedisë, ndërsa më 7 qershor do të zbret me “Dardanët” në Podgoricë për të luajtur ndaj vendit të prejardhjes, Mal të Zi, për të cilin po ashtu luan një kosovar, Fatos Beqiraj nga Peja.  Ky i fundit iu kishte bashkuar shtetit fqinj në kohën kur futbolli kosovar nuk ishte i pranuar ndërkombëtarisht.