E ardhmja e ndritur e Ajaxit dhe Holandës, e garantuar

E ardhmja e ndritur e Ajaxit dhe Holandës, e garantuar

Sport May 20, 2019 - 11:57
Detajet

Holanda e fitoi Kampionatin Evropian U-17 pas fitores 4:2 ndaj Italisë. “Tulipanët” e mbrojtën titullin që e fituan vitin e kaluar, gjithashtu ndaj italianëve. Këto paraqitje vetëm po e dëshmojnë se Holandën e pret një e ardhme e ndritshme, transmeton zeri.info

Holanda e ka vazhduar rrugëtimin e ringjalljes së saj në futboll duke e fituar Kampionatin Evropian U-17 pas fitores 4:2 në finalen ndaj Italisë.

Yjet holandezë shkëlqyen në finale duke treguar një paraqitje të mrekullueshme dhe e kryqëzuan Italinë në trilerin gjashtë golash.

Të rinjtë e Ajaxit e përbëjnë bazën e ekipit, me gjashtë prej tyre në formacionin e titullarëve, duke treguar se klubi nga Amsterdami është duke prodhuar disa prej lojtarëve më të mirë në vend.

Gjatë 12 muajve të fundit bota e futbollit i ka shijuar frytet e punës së Ajaxit, me mera si Frenkie de Jong, Matthijs de Ligt dhe Donny van de Beek që shkëlqyen në Evropë.

Ajaxi i befasoi të gjithë duke arritur deri në fazat e fundit të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur ekipe si Real Madridi e Juventusi para se të eliminohej në gjysmëfinale nga Tottenhami, transmeton zeri.info

Me ekipin e Ajaxit që pritet të shpërbëhet gjatë kësaj vere për shkak ë largimit të lojtarëve, progresi i Holandës U-17 tregon se linja e prodhimit është pak a shumë e njëjtë në këtë ritëm.

Duke e fituar këtë kompeticion, Holanda e mbrojti titullin e fituar para një viti – përsëri duke e mposhtur Italinë.

12 muaj më vonë dhe Holanda ishte përsëri në element, me Sontje Hansenin e Ajaxit që e hapi serinë e golave për holandezët.

Një goditje e bukur nga gjuajtja e lirë nga mbrojtësi i talentuar i Liverpoolit, Ki-Jana Hoever përfundoi në shtyllë, derisa rikthimin e topit e shfrytëzoi Naoufal Bannis.

Futbollisti i Chelseat, Ian Maatsen e shënoi golin e tretë për “tulipanët”, por ishte 15-vjeçari i Ajaxit, Naci Unuvar, i cili e mori vëmendjen me golin e vulosjes së fitores pas inkuadrimit nga banka rezervë.

Unuvar është tani 15-vjeçari i parë që ka shënuar gol në një finale të Kampionatit Evropian U-17. Një dygolësh i italianit Lorenzo Colombo e mbajti lart nderin e Italisë, por nuk arriti dot t’i ndihmojë më shumë./Zëri