Gentian Mezani konfirmon kthimin e dy binjakëve nga Bregu i Fildishtë, tregon pritjet për dy ndeshjet e radhës

Gentian Mezani konfirmon kthimin e dy binjakëve nga Bregu i Fildishtë, tregon pritjet për dy ndeshjet e radhës

Sport maj 15, 2019 - 15:25
Detajet

Skuadra e Gjilanit nuk po kalon momentet më të mira këtë edicion në Superligë.

Që prej ardhjes së trajnerit Gentian Mezani, gjilanasit ende nuk e kanë shijuar fitoren e parë nën urdhrat e ‘timonierit’ nga Shqipëria, shkruan Zëri.info.

Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të këtij edicioni, Gjilani renditet në vendin e dhjetë me vetëm 35 pikë të grumbulluara.

Image

Sot, skuadra e Gjilanit nën urdhrat e Mezanit ka kryer seancën stërvitore të fundit para ndeshjes së nesërme me Lirinë e Prizrenit.

Në këtë seancë stërvitore, Mezani ka marrë një lajm tejet të mirë pasi në dispozicion për dy ndeshjet e ardhshme do t’i ketë dyshen nga Bregu i Fildishtë, Keita Aziz dhe Keita Razak.

Për këtë, trajneri Gentian Mezani në një prononcim për Zëri.info është shprehur i kënaqur.

“Po, është e vërtetë. Në stërvitjen e sotme kanë stërvitur edhe dy vëllezërit Keita”, tha fillimisht Mezani për Zëri.info.

Razak dhe Aziz ishin kthyer në Bregun e Fildishtë pasi kështu kishte kërkuar Ministria e Punëve të Jashtme me qëllim të plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm.

Dy ndeshjet e radhës, Gjilani i zhvillon si vendas ndaj Lirisë dhe si vendas ndaj Ferizajt, ndërkaq Mezani thotë se për skuadrën është e rëndësishme ta kthej mentalitetin fitues.

“Në ndeshjen e nesërme duhet të bëjmë kthesë edhe pse mendoj se këtë duhej ta bënim më parë. Por, është e rëndësishme ta kthejmë mentalitetin fitues në vetvete”, vlerësoi Gentian Mezani.

Image

“Do t’i marrim ndeshjet një nga një – të dyja këto – që kanë mbetur dhe do ta bëjmë maksimumin”, përfundoi Gentian Mezani për Zëri.info.

Ndryshe, ndeshja e nesërme mes Gjilanit dhe Lirisë zhvillohet në Gjilan me fillim nga ora 16:00./Zëri.info