Misioni i 'pastrimit' tek Arsenali, zbardhet fati i Shkodran Mustafit

Misioni i 'pastrimit' tek Arsenali, zbardhet fati i Shkodran Mustafit

Sport April 23, 2019 - 10:50
Detajet

Shkodran Mustafi pritet të largohet nga Arsenali derisa klubi është duke u bërë gati që të bëjë ndryshime rrënjësore në afatin kalimtar veror.

“The Mail” beson se mbrojtësi me prejardhje nga Gostivari është vënë në shitje, teksa trajneri Unai Emery kërkon shitjen e shtatë lojtarëve për të gjeneruar para për trasferimin e lojtarëve të rinjë në afatin kalimtar veror.

Arsenali ka pak fonde për të shpenzuar këtë verë – teksa disa medie shkruajnë se Emeryt i janë vënë vetëm 30 milionë euro në dispozicion për përforcimin e skuadrës.

Dhe është Mustafi njëri prej lojtarëve që mund të sakrifikohet në verë.

Qendër-mbrojtësi 27-vjeçar iu bashkua Arsenalit nga Valencia në vitin 2016 për shumën e 34 milionë funtesh dhe paraqitjet e tij kanë qenë jo të qëndrueshme gjatë aventurës së tij në Londrën e Veriut, shkruan Zëri.

Gabimet e tij në fazën defanzive ishin prapë të pranishme të dielën, ku Arsenali pësoi humbje turpëruese në shtëpi nga Crystal Palace me rezultat, 2:3.

Mustafi bëri një gabim gjatë një dueli me Wilfried Zaha, duke e lejuar sulmuesin anglez të shënojë përballë portierit Bernd Leno.

Kështu, Arsenali është ngopur nga gabimet e reprezentuesit të Gjermanisë, dhe ka vendosur që ta shesë madje edhe për një çmim më të lirë.

Para Valencias, Mustafi kishte luajtur edhe tek Evertoni, por që nuk kishte marrë interesimin e klubeve të mëdha pavarsisht paraqitjeve të tij mbresëlënëse në Kampionatin Botëror me Gjermaninë në vitin 2014.

Por, ka shqetësime se paraqitjet e tij të dobëta së fundmi mund të rezultojnë me dyshime te klubet eventuale që mund ta transferojnë atë.

Mustafi ka bërë 35 paraqitje për Arsenalin në të gjitha kompeticionet këtë edicion, por me të në skuadër, skuadra nga Londra e Veriut e ka mbajtur vetëm tetë herë portën e paprekur.

“The Mail” më tutje shkruan se edhe pagat javore prej 350 mijë funtesh dhe 180 mijë funtesh që marrin Mesut Ozil dhe Henrikh Mkhitaryan mund të reduktohen nga Arsenali, klub i cili ka gjasa që edhe t’i shesë futbollistët.

Gjithashtu, edhe largimet e Aaron Ramseyt dhe Petr Cech në fund të këtij edicioni do të jenë lajme të mira në aspektin financiar për Arsenalin, që do të ndalnin shpenzimet e klubit.

Danny Welbeck, Mohamed Elneny, Carl Jenkinson, Calum Chambers dhye David Opsina gjithashtu janë lojtarët që Arsenali ka mundësi t’i vë në shitje gjatë verës së ardhshme.

Ndryshe, Arsenali është duke luftuar me ‘mish dhe shpirt’ që të rikthehet në Ligën e Kampionëve nga edicioni i ardhshëm.

Pas 34 javësh në Premierligën angleze, djelmoshat e Unai Emery renditen në endin e pestë me 66 pikë të grumbulluara, teksa ndeshjen e ardhshme e zhvillojnë si mysafir i Wolverhampton.

Gjithashtu, londinezët janë edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Evropës, ku në këtë faze do ta presin Valencian në “Emirates Stadium” në ndeshjen e parë, ndërkaq pas një jave udhëtojnë në “Mestalla”./Zëri/