Prishtina fiton në fund ndaj Gjilanit dhe merr kreun e Superligës

Prishtina fiton në fund ndaj Gjilanit dhe merr kreun e Superligës

Sport April 20, 2019 - 16:58
Lexoni detajet

Prishtina ka arritur një fitore të vështirë, por shumë të vlefshme në udhëtim te Gjilani me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në tërësi mysafirëve të Prishtinës, të cilët rrezikuan disa herë në kërkim të golit të epërsisë.

Ergyn Ahmeti (2′, 4′) goditi dy herë jashtë portës, ashtu sikurse edhe Gauthier Mankenda (38′), ndërsa Leutrim Bekteshi (10′) u ndal nga portieri Kenan Haxhihamza.

Për vendasit rastin e vetëm e pati Kushtrim Shabani (43), i cili goditi fortë, por vetëm pranë portës.

Në pjesën e dytë, përsëri ishte Prishtina më e mirë dhe më kërkuese.

Lorik Boshnjaku (50′), Marjo Morina (51′, 71), Mankenda (70′), Basit Khalid (75′), Mërgim Pefqeli (84′) patën raste shënimi, por asnjëri nuk arriti t’i konkretizojë.

Kur pritej që ndeshja të përfundonte në skenë doli përsëri prishtinasi Pefqeli (90′), i cili me kokë shënoi për 1-0 pas asistimit të Armend Thaqit dhe ia dhuroi tri pikë Prishtinës.

Pas kësaj fitore, bardhekaltrit marrin kreun e tabelës në Superligë me 65 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në pozitën e shtatë me 35 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Prishtina e pret Drenicën, ndërsa Gjilani udhëton te Feronikeli. /Telegrafi