Rrahmani është gati për hapin e madh në karrierë
FOTO: Laura Hasani

Rrahmani është gati për hapin e madh në karrierë

Sport April 19, 2019 - 12:36
Detajet

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, po vazhdon të shkëlqejë në kampionatin kroat me Dinamon e Zagrebit. Futbollisti nga Prishtina në një intervistë për gazetën “Zëri” thotë se është gati ta bëjë hapin e madh në karrierë

Amir Rrahmani është një ndër lojtarët e paktë nga Kosova, i cili ka arritur që nga lloçi i futbollit kosovar ta prekë Evropën. Futbollisti nga Prishtina, i cili aktivizohet si qendërmbrojtës, me shumë sukses po luan me gjigantin kroat Dinamo Zagreb dhe me Përfaqësuesen e Kosovës. 25-vjeçari ka lëshuar rrënjë në përbërjen e parë të Dinamos, derisa ka shkëlqyer edhe me Kosovën, që drejtohet nga trajneri zviceran Bernard Challandes.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” futbollisti shtatlartë rrëfen përvojën me klubin nga Zagrebi në këtë edicion. “Ka qenë një sezon shumë i suksesshëm me Dinamon. Ishim në mesin e 16 ekipeve më të mira në Ligën e Evropës dhe kjo mendoj se është e arritur”, nis bisedën për “Zërin” Amir Rrahmani.

Dinamo pas xhiros së 29-të në elitën e futbolli kroat i prin renditjes me 76 pikë të grumbulluara. Këtij klubi i duhet vetëm edhe një pikë që edhe matematikisht të shpallet kampion. “Na duhet edhe një pikë që të shpallemi kampionë, shtatë ndeshje para se të përmbyllet kampionati. Gjithashtu jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe këtë vit e konsideroj si shumë të suksesshëm”, potencoi Amir Rrahmani.

Ylli i Kosovës e komentoi edhe formën personale të shfaqur në fanellën dinamovite.

Rrahmani në këtë edicion është aktivizuar si mbrojtës i majtë, pozitë e cila nuk është natyrale e tij. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet. Në këtë edicion kam luajtur si mbrojtës i majtë, por jam treguar se jam gati të luaj edhe në atë pozitë. Mendoj se kam bërë paraqitje tejet pozitive dhe për këtë fakt jam i kënaqur”, vlerësoi Amir Rrahmani.

Koha për diçka të re

Amir Rrahmani që nga viti 2015 është pjesë e futbollit kroat. Ai në verën e atij viti u transferua në Kroaci nga Partizani i Tiranës për të firmosur fillimisht me RNK Splitin. Pas paraqitjeve mbresëlënëse, një vit më pas u transferua te Dinamo për të luajtur fillimisht në ekipin tjetër që drejtohet nga pronarë të njëjtë, Lokomotiva.

Rrahmani mendon se është koha për një aventurë të re. “Besoj se ka ardhur koha për diçka të re. Tani kam ambicie edhe më të mëdha. Shpresoj se do ta bëj hapin e madh të karrierës në verë. Duhet të presim, pasi në futboll nuk ka të garantuar asgjë”, vlerësoi Amir Rrahmani.

Kujtojmë se Dinamo është “fabrikë” sa i përket eksportit të futbollistëve në klube të mëdha në Evropë.

Beson te Kosova

Krahas Dinamos, Rrahmani ka lënë gjurmë edhe me Kosovën. Ai ishte shtyllë e mbrojtjes së ekipit në suksesin e Kosovës në Ligën e Kombeve, si dhe dy ndeshjet e para të këtij viti ndaj Danimarkës e Bullgarisë. Madje ndaj Danimarkës e realizoi edhe një gol në barazimin 2:2. “Me Kosovën jemi në rrugën e duhur. Jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve dhe gjithashtu do të luftojmë për vendin e dytë në fazën kualifikuese. Besoj se Anglia është favoriti kryesor në grupin tonë. Kemi bërë shumë progres dhe shpresoj se do të vazhdojmë në këtë mënyrë”, ka përfunduar Amir Rrahmani.

Kosova bëri arritje historike në Ligën e Kombeve. Përfaqësuesja jonë e ka përfunduar në vend të parë fazën grupore në Grupin 3 të Ligës D. Nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara Kosova ka regjistruar katër fitore dhe dy barazime dhe mban vendin e parë në grup me 14 pikë. Ekipi Verdhekaltër në mars të vitit të ardhshëm do ta zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale ndaj Maqedonisë për ta kërkuar më pas kualifikimin në “Euro 2020”. Kosova tashmë e ka nisur fushatën eliminatore për Evropian. Në mars të këtij viti ka barazuar në ndeshjen e parë me Bullgarinë me shifrat 1:1 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. /Zëri