Sahib Abbas, historia e njeriut që shpëtoi falë futbollit

Sahib Abbas, historia e njeriut që shpëtoi falë futbollit

Sport March 26, 2019 - 11:22
Detajet

Ish-futbollisti Sahib Abbas ishte burgosur, ishte torturuar dhe i ishte dashur ta shihte ekzekutimin e të vëllait dhe të katër shokëve të tij, por prapëseprapë ia kishte dalë të bënte një karrierë të shkëlqyeshme në futboll pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Ashtu siç bënte pas çdo ndeshjeje, Sahib Abbas e mori rrugën drejt Karbalas me autobus. Sidoqoftë, këtë herë nuk kishte asnjë shenjë të vëllait të tij Fadhilit. I amputuar për shkak se kishte humbur këmbën e tij gjatë luftës së viteve 1990-1991, vëllai i tij çalues pëlqente t’i bënte pyetje Sahibit për rezultatin derisa ecnin në rrugën prej rreth 200 metrave në shtëpi, duke u gëzuar me të kur fitonin dhe duke e ngushëlluar kur humbnin. Por në katër ndeshjet e Sahibit në klubin elitar Salahaddin Fadhili nuk ishte parë asgjëkund. “Ata erdhën dhe e morën para një jave”, shpjegon nëna e Sahibit kur arriti në shtëpi. “Ata” ishin oficerët e sigurisë. Kishin kaluar vetëm pak muaj që prejse Saddam Husseini kishte urdhëruar ushtrinë e tij që të pushtonte shtetin fqinj Kuvajtin para se të tërhiqej pas presionit nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti George Bush u bëri thirrje irakianëve që ta merrnin çështjen në duart e tyre dhe ta luftonin Saddamin. Së bashku me dy vëllezërit e tij dhe me një grup shokësh adoleshenti Sahib do të shkonte me makinën e tipit “Toyota” për të sulmuar pikat e kontrolluara nga ushtria. Por pastaj qeveria e shpalli fitoren e plotë dhe Sahibit iu desh të ikte për jetën e tij.

Derisa fshihej ai ishte kontaktuar nga njëri prej ish-trajnerëve të tij, që ia sugjeroi rikthimin në futboll. Ai i tha se Salahaddini, me bazë në Tikrit, qyteti i presidentit të Irakut, po kërkonte një sulmues. Pas disa minutave në provë Sahib i bindi ata që t’ia ofronin një kontratë. Ai ishte regjistruar që të luante me klubin dhe shënoi dy herë në debutim, duke u rikthyer në shtëpi e duke festuar me Fadhilin. Por pas katër ndeshjeve Fadhili ishte zhdukur.

Sahib i tha nënës së tij se ai do të shkonte të pyeste në forcat lokale të sigurisë për të zbuluar se çka ndodhi. Si një lojtar nga Salahaddini, një klub i drejtuar nga anëtarët e partisë “BA” dhe të mbështetur nga regjimi, ai besoi se do të ishte i sigurt. Për çdo rast presidenti i klubit Mohammed Al-Watani, i njohur si Abu Kahla, ia kishte dhënë një kontakt në Karbala, të cilin mund ta kontaktonte nëse kishte ndonjë problem.

Sahib shkoi të takonte kapitenin Zuhair, njeriu me të cilin i kishte thënë të kontaktonte presidenti. Ai ishte njeriu përgjegjës për hetimin në drejtorinë e sigurisë në Karbala. “Unë e pyeta për vëllain tim. ‘Kush je ti’, më pyeti Zuhair. ‘Sahib Abbas’, iu përgjigja. ‘Ne kemi pyetur për ty’, tha kapiteni. ‘Ne donim që të merrnim në ndeshjen kundër Najafit, por Abu Kahla tha se klubi nuk kishte sulmues’”, tregon ai.

Sahib u ngri i tëri. Vendasit në Karbala e kishin një shprehje se kushdo që hynte në ndërtesën e drejtorisë së sigurisë nuk kthehej kurrë. Ai provoi që të fliste, por nuk i doli asgjë. Zuhair i kishte thënë që të fliste se çfarë kishte bërë ndaj shtetit. “Çfarë doje të bëheshe, guvernator i Karbalas? Çfarë bëre? Sa i vrave? Çfarë bombardove? Emri dhe dosja jote janë këtu”, i kishte thënë Zuhairi.

Sahib ishte futur në një qeli. Sytë e tij u mbuluan dhe duart iu lidhën nga pas. Ai ishte burgosur me katër njerëz që kishin luftuar me të dhe çdo ditë ata merreshin në pyetje, ku do të rriheshin dhe do të gjakoseshin. Ata i thanë Sahibit që rrahjet ishin për shkak të tij, por ata refuzuan që t’ua jepnin torturuesve emrin e tij. Më vonë atë ditë Sahibi ishte detyruar të ulej në një karrige elektrike me kabllo të vendosura në këmbët e tij, në duar dhe në gjenitale dhe i thanë se nëse do të gënjente aparatura do ta dinte dhe menjëherë ai do të elektrizohej.

Para se t’i lejohej të shkonte në shtëpi Sahib i tha nënës së tij se nëse do të vonohej ose nuk do të kthehej kurrë ajo duhej të shkonte në Salahaddin dhe t’i tregonte Abu Kahlas dhe trajnerit të tij Abdelilah Abdul-Hamed se ku ishte. Dhe në ditën e marrjes në pyetje të tij ata arritën në Karbala për shkak se lojtarët e Salahaddinit kishin hyrë në grevë dhe i kishin thënë menaxhmentit që nuk do të luanin nëse Sahibi nuk do të ishte në skuadër. Ditën tjetër Sahibi u lirua me dënimin me vdekje që i rrinte pezull mbi kokën e tij të ngritur për shkak të mëshirës së treguar nga presidenti i klubit të tij dhe lutjes së trajnerit të tij. Futbolli ia shpëtoi jetën, por Fadhili dhe katër shokët e tij ishin ekzekutuar nga shteti për pjesëmarrjen e tyre në revoltën e vitit 1991.

Ishte një tragjedi e mbuluar me gjak dhe me lot, por do të kishte lajme të mira në 2003-n, pas rënies së regjimit dhe zbulimit që vëllai i madh i Sahibit, Mohammed, ishte gjallë. Familja besonte se edhe ai ishte vrarë, por në fakt ai kishte ikur dhe kishte shkuar në shtetin fqinj të Iranit.

Sahib pati dy edicione të mira në Tikrit si golashënuesi më i mirë para se të lëvizte drejt klubit më të madh në vend Al-Zawraa, ku ai e fitoi dy herë rresht ligën dhe kupën në mes të viteve të ’90-a. Ai u largua nga Al-Zawraa në vitin 1998, pas një konflikti me bordin e klubit dhe për disa vite autoritet sportive e kishin shënjuar një “X” të madh në emrin e Sahibit, në mënyrë që ai të mos luante futboll e as të shkonte jashtë dhe të nënshkruante një kontratë luksoze në Katar.

Sidoqoftë, pas një presioni të madh në publik golgeteri më i mirë në ligën irakiane ishte ftuar nga trajneri Ammo Baba për kualifikimet e Kupës së Azisë në vitin 1996. Ai shënoi në debutimin e tij dhe e mbajti vendin e tij në ekip për finalet që u mbajtën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sahib u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në ligën irakiane me 177 gola në periudhën 1991-2012, por nuk e mori asnjëherë shansin e tij me ekipin kombëtar, duke bërë vetëm 14 paraqitje dhe tri gola gjatë periudhës 1996-2001. Sahib u pensionua dy herë, së pari në vitin 2010 për të trajnuar klubin nga Karbala Al-Hindiya, para se të rikthehej për një edicion të fundit në moshën 41-vjeçare për klubin Karbala.

“Shija e hidhur e të lënit futbollin dhe largimi prej tij është i përzier me gëzimin e kremtimit dhe të marrjes së vëmendjes nga turma e madhe që më ka shërbyer aty ku kam arritur”, deklaron tani 46-vjeçari, që së fundmi pa sukses ka kandiduar si politikan në Karbala./Zëri