Zbulohet shifra që do të përfitojë Panucci pas shkarkimit nga FSHF-ja

Zbulohet shifra që do të përfitojë Panucci pas shkarkimit nga FSHF-ja

Sport March 25, 2019 - 10:34
Detajet

Humbja me Turqinë i shkaktoi stolin trajnerit Christian Panucci.

Italiani është shkarkuar nga presidenti Duka dhe për ndeshjen e radhës me Andorrën, FSHF ka graduar zëvendëstrajnerin, Ervin Bulku dhe Sulejman Memën që të drejtojnë kuqezinjtë në transfertën e së hënës, shkruan Panorama Sport. 

Pas 15 ndeshjesh në krye të Shqipërisë, Duka ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin italian. Në mëngjesin e ditës së djeshme, FSHF ka njoftuar edhe për largimin e italianit.

“Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Kristian Panuçi. E falënderojmë trajnerin Panuçi për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës”, ka shkruar dje faqja zyrtare e FSHF-së gjatë paradites së djeshme.

TAKIMI I FUNDIT – Përfundimi i ndeshjes me Turqinë ka qenë edhe fundi i aventurës së trajnerit 45-vjeçar. “Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht edhe prapaskenat e largimit të trajnerit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një takim në orët e para të mëngjesit të së shtunës, mes trajnerit të Kombëtares dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Ky i fundit ka shkuar në rezidencën e përfaqësueses në Durrës rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku edhe i ka komunikuar trajnerit vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit. Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se Duka i ka ofruar edhe një pakt italianit për të qëndruar në krye të Shqipërisë edhe për takimin e të hënës ndaj Andorrës, i cili të ishte i fundit në krye të Kombëtares dhe më tej të kishte një dorëheqje të Panuçit.

REFUZIMI – Ashtu siç edhe deklaroi në konferencën zyrtare në “Loro Boriçi”, pas ndeshjes me Turqinë, edhe në takim me Dukën, Panuçi ka refuzuar të japë dorëheqjen. Në çdo moment, italiani e ka shmangur mundësinë e tërheqjes nga drejtimi i përfaqësueses, duke mos i lënë mundësi tjetër Armand Dukës, veçse shkarkimit të tij. Edhe pse në tetor 2018 italiani shprehej në një nga konferencat për shtyp, se do të ishte i gatshëm të largohej menjëherë nga Shqipëria në rast se presidenti Duka do t’i kërkonte që të largohej.

PATI THËNË – I pyetur nëse ndihej i lodhur dhe nëse kishte menduar largimin, Panuçi në atë periudhë tha: “Jo, jam shumë mirë. Nëse presidenti mendon se problemi jam unë, Panuçi ikën në shtëpi. Unë lashë një skuadër me dy vjet kontratë, nuk mora asnjë qindarkë. Ashtu edhe te Palermo”. Në takimin e fundit në “Tropikal”, italiani ka pranuar vendimin për shkarkim, ndërsa është drejt Italisë me avionin e parë të linjës.

“FATURA” – “Kristian Panuçi nuk ka bërë asnjë kërkesë financiare kur ka marrë drejtimin e Shqipërisë. Ka pranuar propozimin që i është bërë prej nesh”, është thënë më parë nga Duka në daljet e tij publike. Italiani ka përfituar 20 mijë euro neto në muaj, pa përfshirë këtu premiot e vendosura në takime të ndryshme, por edhe pagesa që FSHF bënte për dy pjesëtarët e tjerë të stafit teknik (Kaseti dhe analisti i videove).

Pas shkarkimit, ajo që iu ofrua ishtrajnerit është pagesa edhe për muajt e ardhshëm, deri në qershor kur edhe përfundon sezoni futbollistik për klube, kohë kur edhe çdo trajner mund të gjejë mundësi nisjeje të një aventure të re. Në pamje të parë, kjo mund të jetë edhe marrëveshja mes tij dhe presidentit Duka për mbylljen e aventurës në krye të Shqipërisë. Por, nuk përjashtohet edhe një refuzim i fundit nga Panuçi. Kësisoj me një kosto prej afro 40 mijë eurosh në muaj (rroga e Panuçit plus stafi) fatura për FSHF-në do të shkonte deri në fund të kontratës (i skadon në muajin nëntor) 320 mijë euro.