E zbulon ish-trajneri i Shqipërisë: Ky ka qenë brezi më i mirë i Kombëtares

E zbulon ish-trajneri i Shqipërisë: Ky ka qenë brezi më i mirë i Kombëtares

Sport March 22, 2019 - 17:46
Detajet

Shqipëria do të nisë sot rrugëtimin në eliminatoret e Europianit 2020 teksa do të përballet në orën 20:45 me Turqinë, në sfidën që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, shkruan Panorama Sport. 

I ftuar në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja në “Top Channel”, ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi ka analizuar këtë përballje. Rrugëtimin e kuqezinjve, profesor Hafizi e quajti të paparashikueshëm, duke mos dhënë një verdikt final për ecurinë e skuadrës së Panuçit.

“Historia ka treguar se në ekipin tonë kombëtar shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç janë parashikuar: ose jemi mundur në ndeshjet kur kemi qenë shumë në formë për t’i fituar, ose kemi fituar në një takim që mund të mos e prisnim.

Shumë gjëra çalojnë, që nga mënyra e grumbullimit të lojtarëve e deri te mënyra e lojës. Vërtet Panuçi i dha disa sinjale të mira në fillim, qoftë në ndeshjet e mbetura në grup gjatë kualifikueseve të kaluara, edhe pse ne u justifikuam me vështirësinë e kundërshtarëve, qoftë edhe në disa miqësore pasuese. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç duhet në vijim. E mbështeta kur donte të ndryshonte fokusin e lojës, të na impononte një lojë më sulmuese, por vura re se shumë gjëra i kishte të paqarta.Pas cedimit edhe të objektivave në Ligën e Kombeve, unë sot nuk e kam të qartë mënyrën sesi Panuçi zgjedh lojtarët për grumbullim. Në ekipin kombëtar ka pasur, ka dhe gjithmonë do të ketë probleme. Ndoshta me De Biasin është parë disi më dukshëm afrimiteti trajner-futbollist, ndërsa Panuçi më duket disi i largët. E rëndësishme është që këto probleme të jenë të vogla. Ndoshta ky mund ta ketë nga tipi i tij, edhe si futbollist nuk ka qenë perfekt.

Nëse krahasojmë futbollin turk me atë shqiptar, pothuajse në çdo aspekt ata janë më lart sesa ne, edhe pse shumica e lojtarëve të tyre luajnë në kampionatin vendas. Këtë e tregon edhe renditja e FIFA-s. Por, nëse shohim nivelin dhe atë që japin lojtarët në fushë, kanë paraqitur edhe ata dobësi, teksa nuk kanë mundur të kualifikohen në edicione të shumta të viteve të fundit, që prej vendit të 4-t në Kore-Japoni 2002. Ata janë më mirë sesa ne, pavarësisht se kanë zëvendësuar trajnerin Luçesku me Gynesh, përkohësisht në krye, por kanë më shumë përvojë dhe eksperiencë.

Pavarësisht skemave që përmenden, nuk besoj se do të jemi aq të prirur nga sulmi. Ne nuk kemi luajtur ndonjëherë me dy sulmues në fushë, as me De Biasin, edhe pse 4-3-3 është përmendur edhe atëherë, por që në fushë ka qenë një 4-5-1 i qartë, duke i dhënë më shumë rëndësi mbrojtjes dhe mesfushës. Megjithatë, ne kemi lojtarë që mund të luajnë me sytë nga sulmi, kanë shpejtësi dhe teknikën e duhur, por mendoj se gjithçka çalon te detyrat që iu ngarkohen. Ato dyshoj se anojnë më shumë nga mbrojtja sesa nga veprimet sulmuese.Përgjithësisht, loja sulmuese është më e vështirë për t’u aplikuar, ajo mbrojtëse më e lehtë. Është si ajo shprehja: për të shkatërruar është më e lehtë sesa për të ndërtuar. Tek Hysaj, Gjimshiti e Veseli kemi më shumë pritshmëri, aty kemi më shumë kualitete, edhe pse kemi pasur shumë probleme harmonizimi dhe organizimi mbase.

Askush nuk futet në fushë për ta humbur ndeshjen, por për ta fituar atë. Por duhet të dijë sesi të qëndrojë me këmbë në tokë, të jetë i ekuilibruar gjatë ndeshjes dhe të japim maksimumin. Ne shpesh i humbim ekuilibrat mes reparteve gjatë ndeshjes, dalin prej tyre dhe hutohemi.

Ndodhën disa situata që ne i shfrytëzuam shumë mirë dhe u kualifikuam. Fati sigurisht që duhet dhe duhet ta kemi pas vetes, por nëse presim vetëm te fati, atëherë gabojmë. Fati të vjen njëherë në ndihmë, pastaj duhet ta kërkosh ti. Nëse do të pretendojmë që të gabojnë Turqia e Islanda, që ne të dalim pas Francës, kështu gabojmë.Brezi më i mirë i Kombëtare? Brezi i viteve 2000 me lojtarë si Strakosha, Rraklli, Murati, Xhumba, Fakaj, Kola, Lala, Shulku, Haxhi etj. Ishin një grup shumë mirë që më jep shumë nostalgji. Më pëlqen dhe brezi i viteve 80-të, ishte një grup bio. Ata erdhën nga kombëtarja shpresa, ku ishin në tetëshen me të mirë të Europës. Fatkeqësisht ata u ndodhën në një kohë tjetër”.”, u shpreh Hafizi.