Ndërron jetë ish-sportisti i njohur kosovar
Ka ndërruar jetë Shemsedin Pantina, emër i njohur dhe i respektuar i hendbollit vushtrrias dhe hendbollit kosovar në përgjithësi.
I ndjeri Pantina është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, ndërsa është varrosur të premten në varrezat e qytetit të Vushtrrisë, në Begaj, shkruan faqja zyrtare e FHK-së, përcjell zeri.info.
Me ndarjen nga jeta të Shemsedin Pantinës, hendbolli kosovar ka mbetur pa një personalitet të respektuar që ka dhënë kontribut të çmuar për zhvillimin e sportit në vendin tonë. I
ndjeri Pantina për shumë vite është paraqitur si hendbollist te Kosova e Vushtrrisë. Ishte pjesë e kësaj skuadre në vitet shtatëdhjeta, kur Vushtrria ishte qendër e rëndësishme e hendbollit, ashtu si vazhdon të jetë edhe sot.
Kontributi i Shemsedin Pantinës ka vazhduar edhe si gjyqtar hendbolli.
Është në mesin e gjyqtarëve që kontribuuan pas mëvetësimit të hendbollit kosovar, në vitet nëntëdhjeta.
Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, në emër të komunitetit të hendbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së respektuar Pantina.