Sadiku flet për Durmishajn dhe shanset e Shqipërisë për kualifikim në Evropian

Sadiku flet për Durmishajn dhe shanset e Shqipërisë për kualifikim në Evropian

Sport March 18, 2019 - 16:01
Detajet

Mungesa e tij në ndeshjet e Ligës së Kombeve ishte një humbje e madhe për Shqipërinë por tashmë Armando Sadiku është rikthyer, ende nuk ka arritur formën e tij optimale, megjithatë në ndeshjet e fundit është aktivizuar me Luganon dhe sulmuesi nga Elbasani është gati për sfidat ndaj Turqisë dhe Andorrës.

Pikërisht në miqësoren e Antalyas ndaj përfaqësueses turke Sadiku shënoi dy herë dhe nga aty dëshiron të riniset edhe pse këtë herë do të mjaftohej edhe me një asist vetëm që të fitonin kuqezinjtë.

Në konferencën për shtyp të kësaj të hëne, sulmuesi i Luganos i preku nga pak të gjitha, raporton SS.

Si është gjendja fizike dhe cilat janë pritshmëritë?

Jam rikthyer pas 1 viti. Jam i lumtur, me energji dhe pozitivitet. Mezi po pres të jap më të mirën time dhe të kthehem te goli. Në aspektin fizik jam shumë mirë. Te Lugano kam luajtur 7 ndeshje. Për momentin jam shumë mirë.

Si të është dukur Shqipëria?

E kam ndjekur gjatë gjithë ndeshjeve. Nuk është se kemi zhvilluar nga ato lojërat tona më të mira. Kemi treguar që nëse luajmë si grup marrim rezultatet pozitive. Ka munguar goli, shpresoj që me rikthimin tim të arrij të shënoj dhe të marrim atë që të gjithë shqiptarët presin. Çdo lojtar vjen për të luajtur. Janë zgjedhjet e trajnerit. Unë do jem gati.Kam folur me trajnerin kur kam qenë i dëmtuar. Më ka thënë që ne të presim, jepi forca dhe këtë kam bërë, ja ku jam sot.Kur vjen me Kombëtaren është diçka tjetër. Është një ndjenjë që e ke përjetuar që fëmijë. Është një gjë shumë e veçantë.

Tani që Durmishaj refuzoi kombëtaren e ndjeni më i lehtësuar. A keni një mesazh për futbollistët që kanë refuzuar Shqipërinë?

Nuk e di kush është Durmishaj. Nuk e njoh. Thjesht kam lexuar disa lajme.

Për Uzunin…

E kam ndjekur. Uzuni ka bërë ndeshje të mira. Unë ku ta gjej që të luajë me lojtarë të shpejtë si Grezda dhe Uzuni. Shpresoj që Erosi të kthehet në formë. Shpresoj të bëjmë mirë të 3 përpra. Jam i gëzuar që kam lojtarë të shpejt në krah që mund të më furnizojnë me topa.

Si e vlerësoni sfidën me Turqinë?

Ka shumë lojtarë cilësorë brenda ekipit. Ka emra më të mirë se ne. Pavarësisht se kemi fituar, kjo nuk do të thotë se do e nënvlerësojmë kundërshtarin. Do jemi të karikuar për të përsëritur atë ndeshje. Ishalla me ndihmën e Zotit marrim 6 pikë. Edhe me 4 pikë do ishim të kënaqur. Sot në mëngjes vumë një bast me trajnerin. Na premtoi në qoftë se fitoni 6 pikë do na dhurojë diçka.Duhet të jemi bashkë. Vetëm kështu mund të arrijmë grupin që kishim para 4 vitesh. Grupin e kemi, mund të arrijmë këtë gjë. Atmosfera është e mirë. Të gjithë janë çuna të mirë. Ne duhet t’i ndihmojmë pak të futen në ekip. Atmosfera është shumë e mirë në këto ditë, më vonë nuk e di.

Lënia jashtë e Strakoshës…

Unë e di që Strakosha është i grumbulluar.

Do të pëlqente të asistonit të Grezdën apo të shënonit?

Në qoftë se do të jepja asist për Grezdën dhe ai të shënonte, do isha më i gëzuar se të shënoja vetë.

Mendon se ky grup është i kalueshëm?

Është e vështirë. Kemi ekipe të forta në grup. Do të luajmë kualifikimin me Islandën dhe Turqinë. Shpresojmë të kemi pak fat. Në qoftë se bëhemi grup si para 4 vitesh, do t’ia dalim. Unë kam besim te vetja dhe ekipi.