Hidhet shorti, këto janë çiftet çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve

Hidhet shorti, këto janë çiftet çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve

Sport mars 15, 2019 - 12:17
Detajet

Sot në Nyon të Zvicrës është hedhur shortin për fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, transmeton zeri.info

Shorti ka sjellë disa përballje interesante, derisa më së shumti padyshim që spikat sfida mes Barcelonës dhe Manchester Unitedit.

Kjo do të jetë përballja e parë mes dy klubeve në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve që prej edicionit 2007/2008, kur “Djajtë e Kuq” kaluan tutje falë një goli të Paul Scholesit në ndeshjen e dytë në “Old Trafford”. Barcelona dhe Manchester Unitedi kanë luajtur vetëm në një tjetër përballje me dy ndeshje në kompeticionet e UEFA-s, derisa klubi anglez ishte rikthyer prej një disavantazhi prej 2:0 në ndeshjen e parë në Spanjë, për të triumfuar 3:0 në “Old Trafford” në çerekfinalen e Kupës së Fituesve të Kupave të edicionit 1983/1984.

Ndërkohë, finalisti e edicionit të kaluar të Ligës ë kampionëve, Liverpooli, ashtu si në edicionin e kaluar, do të ketë përballë Porton, veçse në vitin e kaluar këto dy ekipe ishin takuar në të tetën e finales. Fitorja prej 5:0 në udhëtim te Porto, mbetet humbja më e madhe në shtëpi në historinë e klubit portugez. Ashtu si në vitin e kaluar, Liverpooli padyshim që shihet si favorit i madh ndaj portugezëve.

Pas përmbysjes së madhe ndaj Atletico Madridit të mërkurën, Juventusi në çerekfinale do të ketë punë me Ajaxin, që në të tetën e finales e mposhti Real Madridin. Drejtori sportiv i Juventusit, Pavel Nedved ka thënë se Ajaxi nuk bën të nënvlerësohet. “Nuk jam as i lumtur e as i palumtur. Ajaxi e eliminoi Madridin kështu që ata nuk janë për t’u nënvlerësuar. Më pëlqyen shumë ndaj Madridit, kështu ne duhet të kemi kujdes. Ne do të përballemi me Ajaxin me entuziazëm të madh. I pres dy ndeshje të bukura”, u shpreh Nedved.

Ky short ka sjellë përballë mes vete edhe dy klubet angleze, Tottenham dhe Manchester City. Ky është dueli i parë evropian ndaj një klubi anglez i Tottenhamit që prej edicionit 1972/1973, kur ishte mposhtur nga Liverpooli në gjysmëfinalen e Kupës së UEFA-s. Ekipi i Pep Guardiolas synon titullin e Ligës së Kampionëve këtë edicion, por padyshim që nuk e pret aspak një punë e lehtë ndaj londinezëve./Zëri

Liga e Kampionëve

Faza çerekfinale

Ajax – Juventus

Tottenham – Manchester City

Liverpool – Porto

Barcelona – Manchester United