Ronaldo, 'Mbreti i Evropës' që e ka kthyer anormalen në normale

Ronaldo, 'Mbreti i Evropës' që e ka kthyer anormalen në normale

Sport mars 14, 2019 - 16:45
Detajet

Me shpirtin e një kafshe dhe me një shifër të jashtëzakonshme të golave Cristiano Ronaldo edhe një herë tjetër e bëri ligjin në Evropë. Ylli portugez e çoi Juventusin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi e përmbysi i vetëm me tre gola Atletico Madridin të martën mbrëma, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Herën tjetër Ronaldos mund t’i duhet t’i përdorë të dyja duart. Në fund të ndeshjes së parë ndaj Atletico Madridit ai u largua nga “Wanda Metropolitano” duke e ngritur lart pëllëmbën e dorës së tij, duke e përsëritur mesazhin që e kishte dërguar në fushë, duke u siguruar që askush nuk e kishte humbur. “Pesë”, tha ai, derisa dilte në parkingun në anën jugperëndimore të stadiumit. “Unë kam pesë Liga të Kampionëve dhe Atletico s’e ka asnjë”. Juventusi kishte humbur, por ata ende nuk ishin mposhtur. Ndoshta nuk dukej edhe aq shumë atëkohë, por provokimi i Ronaldos nuk ishte thjesht një gjest, nuk është kurrë i tillë. Një humbës i keq e quajtën disa, por është pjesë që e bën atë një fitues aq të mirë.

Mënyra sesi një ish-trajner i Ronaldos e përshkruan atë si portret i një njeriu që duhet të mbahet në tunel, si një kafshë. Në ato net ku ka diçka tjetër, një sfidë tjetër, dikush për t’u luftuar dhe për t’u mposhtur, ai thotë se aty është Ronaldo: duke hungëritur, i tendosur dhe pastaj çlirohet. Atletico Madridi e ka të njohur këtë gjë për shkak se për katër vjet radhazi kampanjës së tyre në Ligën e Kampionëve i erdhi fundi nga Real Madridi, duke u mposhtur nga Ronaldo. Dy finale, një gjysmëfinale dhe një çerekfinale. Me het-trikun e tij të martën mbrëma ai i ka shënuar 25 gola ndaj tyre. “Ne e zgjodhëm një ditë të keqe për ta prishur”, deklaroi Antoine Griezmann. Ronaldo e zgjodhi një ditë të mirë për të ecur para, që ai gjithmonë kujdeset ta bëjë, që të gjithë e bënë. Ronaldo, thotë e përditshmja spanjolle “AS”, se ai ishte “maja e diamantit”. I pamëshirshëm dhe i parezistueshëm. Ai e mposhtur tri herë Jan Oblakun, duke ndryshuar gjithçka. “Do të ishte e çuditshme për të që ta përfundonte Ligën e Kampionëve me vetëm një gol”, deklaroi Massimiliano Allegri dhe ai kishte të drejtë. Janë katër sosh tani dhe pakkush do të kishte menduar që do ta përfundonte me kaq. Ju mund t’i keni shikuar statistikat tani dhe ato janë të jashtëzakonshme.

Ronaldo është golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve me 124 gola dhe jo vetëm kaq. Ronaldo pa penalltitë e shënuara është golashënuesi i dytë i Ligës së Kampionëve. Ronaldo vetëm me fanellën e Real Madridid është golashënuesi i katërt. Vetëm Lionel Messi dhe Raul kanë shënuar më shumë gola në Ligë të Kampionëve sesa Ronaldo që ka shënuar i vetëm në fazën eliminuese. Ai shënoi në finalen e 2008-s (edhe pse humbi një penallti), në finalen e 2014-s dhe dy herë në finalen e 2017-s. Në vitin 2016 ai shënoi një penallti në gjuajtjen e penalltive për t’ia fituar Realit titullin.

Në qendër të Torinos ishte shfaqur një reklamë me fotografinë e Ronaldos, ku ishin listuar rekordet e tij. Ishte një listë e gjatë. “Unë i harrova të gjitha këto dhe fillova përsëri”, thoshte slogani. “Harrova” mund të mos jetë fjala e duhur dhe aty ishte edhe kujtimi i Madridit, por mbrëmjen e së martës u nënvizua se ai nuk e ka ndërmend të ndalet aty. “Kjo është arsyeja pse Juventusi nënshkroi me mua”, tha ai dhe pati të drejtë. Ata kanë qenë afër, por atyre i është mohuar- madje edhe nga vetë ai. Plani ishte që të kërkohej ai për shkak të natyrës së pamëshirshme që ai ngërthen në vete. Ai kërkon trofeun e gjashtë evropian. Askush nuk ka fituar më shumë.

Giorgio Chiellini e ka përshkruar atë si një shembull për t’u ndjekur, puna, përqendrimi, dedikimi i tij i madh është ngjitës, thotë ai. Ata janë të befasuar nga integrimi i tij, por gjithashtu edhe nga gjërat që ai ka bërë gjithmonë. Por kushdo që ka punuar me Ronaldon insiston se ai është shumë i ndryshëm. “I fiksuar” është një fjalë që e dëgjojmë shpesh. Kur ai ndien se duhet bërë diçka për ta treguar veten, ai e bën. Në Madrid ai ishte abuzuar dhe ishte tallur. Në Torino ai është rebeluar. Zemërimi është një energji e fuqishme. E marta ishte e jashtëzakonshme, por ishte gjithashtu diçka që ai e ka bërë edhe shumë net të tjerë, duke e bërë anormalen të duket normale. “Marsian”, shkruante “Tuttosport”. “Përbindësh”, thoshte “Corriere dello Sport”. “Gazetta dello Sport” shkruante “Zemërimi i Zotit”.

Në Spanjë, “Marca” shkruante se ai e ka krijuar ligjin e tij, derisa “AS” e quan atë “Mbretin e Ligës së Kampionëve”, kompeticion të cilin e fitoi tri herët e fundit me Real Madridin. Në Madrid u mungon shumë, edhe pse mund të rikthehet shumë shpejt, përsëri në “Metropolitano” për finalen e 1 qershorit. Dhe nëse ai largohet me titullin dhe me një mesazh tjetër atë natë, vetëm një dorë nuk do të jetë e mjaftueshme për të./Zëri