Ndryshimet e Superligës

Sport February 15, 2019 - 12:14
Detajet

Në sistemin e garave në Superligën e Kosovës në futboll pritet të bëhen ndryshime rrënjësore.

Federata e Futbollit e Kosovës është e interesuar ta shkurtojë numrin e klubeve të Superligës nga 12 në 10.

Pritet që në Kuvendin e ardhshëm të punës FFK-ja ta propozojë këtë ide, e cila pritet të përkrahet nga delegatët.

Nëse miratohet ky propozim në stinorin 2019/’20 do të largohen katër ekipe nga Superliga dhe do ta inkuadrohen dy nga Liga e Parë.

Në këtë mënyrë nga edicioni 2020/’21 për herë të parë në histori elita do të kishte 10 skuadra, të cilat do të luanin katër herë me njëra-tjetrën brenda një edicioni, siç praktikohet edhe në disa kampionate evropiane.

Gazeta “Zëri” ka biseduar të enjten me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës Eroll Salihun, i cili ka folur për çështjen në fjalë. “Njerëzit që e njohin këtë sport, të cilët janë marrë me gara, e kanë pëlqyer këtë ide dhe mendojmë që është ide shumë e mirë”, ka deklaruar Eroll Salihu.

Ai vlerëson se nëse Superliga bëhet me 10 ekipe do të rritej cilësia në futbollin e Kosovës. “Konsideroj se liga do të bëhej më kualitative. Synimet e të gjithëve janë që ta bëjmë një kampionat sa më të fortë”, vlerësoi Eroll Salihu.

Ndryshe, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë javë më parë në një emision sportiv se regjioni i Prishtinës e ka bërë kërkesën për ndryshim të rregullores së garave. “Planifikojmë që Superligën ta bëjmë me 10 ekipe. Duhet që të gjitha regjionet ta miratojnë kërkesën. Tashmë regjioni i Prishtinës e ka bërë një gjë të tillë. Kur të gjitha regjionet do ta miratojnë një kërkesë të tillë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv do të miratohet”, ka thënë Agim Ademi.

Dragusha: Nuk është keq, por me sistemin e ri do të jetë edhe më mirë

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar Muhamet Dragusha idenë e shkurtimit të Superligës e vlerëson si të qëlluar. “Ky propozim mendoj se mund të jetë i qëlluar me vetë faktin se Kosova është e  vogël, por jo të gjitha klubet qëndrojnë shumë mirë financiarisht. Mendoj se në qoftë se shkurtohet në 10 skuadra do të rritet konkurrenca brenda kampionatit, por edhe cilësia sigurisht se do të jetë më e lartë”, ka vlerësuar Muhamet Dragusha.

Ai tashmë punon si trajner në grupmoshat e reja.

Më tutje “Muja” vlerëson se edhe me 12 skuadra sistemi i garave po funksionon shumë mirë. “Mendoj që me 12 skuadra siç e kemi tashmë po funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse vetë sistemi i garave po e bën interesant kampionatin. Po e shohim që në dy vjetët e fundit kemi shumë konkurrencë dhe dëshirë për të triumfuar”, potencoi Muhamet Dragusha.

Afrim Tovërlani është për ndryshime

“Timonieri” i suksesshëm i futbollit kosovar, Afrim Tovlërlani, thotë se ideja e bërjes së Superligës me 10 skuadra nuk është e mirë. Ai e arsyeton këtë mendim në këtë mënyrë.

“Nuk do të ishte ide e qëlluar. Kjo nënkupton të përballesh katër herë me të njëjtën skuadër gjatë një sezoni. Mendoj se është pak e tepërt. Por, besoj se ka ardhur koha të ndryshohet sistemi, edhe nuk jam pro, por nuk është propozimi më i qëlluar, bëhet ‘bajat’ duke u përballur skuadrat mes vete”, ka thënë të enjten për “Zërin” Afrim Tovlërani. Ai së fundmi ishte trajner i Ferizajt, derisa në të kaluarën e ka drejtuar edhe Prishtinën, Feronikelin, Hysin dhe Trepçën ’89. /Zëri.info