Toronto ruan kreun në Konferencën e Lindjes

Toronto ruan kreun në Konferencën e Lindjes

Sport shkurt 12, 2019 - 09:23
Detajet

Mbrëmë janë zhvilluar nëntë ndeshje interesante në kuadër të kampionatit më të forte në botë të basketbollit, NBA. Toronto ka ruajtur lidershipin në Konferencën e Lindjes pas fitores 127:125 ndaj Brooklyn, shkruan Zëri.

Kjo ishte një ndeshje ku në pjesën e parë ishin vendasit ata që kishin një avantazh të lehtë. Por në pjesën e dytë kanadezët përmbysën shifrat, duke fituar edhe falë 40 pikëve që u realizuan nga lojtarët e stolit.

Toronto ndan kreun e renditjes bashkë me Milwaukee, që mposhti pa shumë probleme 112:99 Chicago, takim i luajtur në fushën e këtij të fundit. Suksesi i 42-të sezonal për Bucks mban sërish emrin e gjigantit Antetokounmpo, që realizoi 29 pikë e 17 kërcime.

Fitore pa shumë vlera për renditje e Cleveland, që mposhti 107:104 New York. Nuk zhgënjeu as skuadra e Denver, që klasifikohet në vendin e dytë në Perëndim. Nuggets mposhtën 103:87 Miamin, duke bërë detyrën, ndeshje ku u dalluan Beasley e Jokic me nga 23 pikë secili.

Mbrëmë fitoi edhe Houston, që falë 31 pikëve të Harden mposhti 120:104 Dallas. Ndërsa Minnesota triumfoi 130:120 ndaj Clippers.

Ndeshjet e plota: Cleveland – New York 107:104, Detroit – Washington 121:112, Indiana – Charlotte 99:90, Toronto – Brooklyn 127:125, Chicago – Milwaukee 99:112, Houston – Dallas 120:104, Minnesota – Clippers 130:120, Oklahoma – Portland 120:111, Denver – Miami 103:87./Zëri/