Rritet çmimi i biletave për kualifikimet e “Euro 2020”

Rritet çmimi i biletave për kualifikimet e “Euro 2020”

Sport shkurt 11, 2019 - 19:01
Lexo Detajet

Kualifikimet për Kampionatin Evropian po afrohen. Kosova tashmë ka kohë që ka mësuar Grupin dhe kundërshtarët. “Dardanët” do të jenë në Grupin A me Anglinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Malin e Zi.

Ashtu si ndeshjet e Ligës së Kombeve, Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë edhe ndeshjet për Euro 2020 në stadiumin tashmë të rinovuar, “Fadil Vokrri”, kapaciteti i të cilit është afër 13 mijë ulëse.

Por, për dallim nga ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku Kosova shkroi historinë dhe u kualifikua në play-off dhe është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit historik në Evropian, tani do të ndryshojnë çmimet.

Këtë e ka konfirmuar për Express numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Sipas Ademit, ende nuk është marrë vendimi saktësisht se cili do të jetë çmimi i ri i biletave, por pritet të rriten deri në 40 apo 50%, dhe nuk pritet të ndikojë në kërkesën e tifozëve që i kanë qëndruar pranë Kombëtares në të gjitha ndeshjet e Nations League.

“Nuk i kemi bërë çmimet ende, por do të ketë ndryshime, sigurisht do të ketë rritje të çmimit të biletave. Ato do të rriten ndoshta 40 % apo edhe 50 %, aty diku. Do të mundohemi që të jemi korrekt me çmime, të jetë një çmim i arsyeshëm pasi që është edhe njëfarë limiti i ekipeve nacionale sepse nuk mund të shkosh ashtu me bileta edhe të lira për shkak të imazhit të ekipit nacional”, u shpreh Ademi.

Nëse çmimi i biletave rritet 50%, atëherë ato që kanë qenë 3 euro, do të bëhen 4.5 euro, biletat e 5 eurove do të shkojnë në 7.5, ndërsa ato të 10 eurove në 15 e kështu me radhë.

“Ndeshjet e Ligës së Kombeve, me ato çmime, ishin faktikisht si dhuratë për tifozët që na kanë përkrahë sa herë ka luajtur Kosova jashtë vendit, në stadiumin Loro Boriçi. Por, tashmë kemi lënë prapa ato çmime sepse tani edhe gara është më ndryshe dhe shpenzimet janë edhe më të mëdha. Kemi rrit edhe nivelin organizativ”, shtoi Ademi.

“Sido që të jetë, do të mundohemi që të jenë më të lira, natyrisht zona VIP do të ketë çmime shumë më ndryshe, por në pjesën tjera do të mundohemi që të jemi korrekt që të jenë çmime të kapshme për publikun”.

Ademi gjithashtu tha se çmimi i biletave që do të caktohet për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2020, do të jetë po të njëjta edhe për miqësoren me Danimarkën, që Kosova do ta zhvillojë në muajin mars.

“Çmimi do të jetë i njëjtë sepse shpenzimet janë të njëjta si me një ndeshje zyrtare. Miqësorja me Danimarkën llogaritet si ndeshej zyrtare për faktin se kemi grupin me pesë ekipe, një ndeshje më pak se të tjerat, dhe llogaritet si me qenë një ndeshje kualifikuese”, u shpreh ai mes tjerash.

Ademi po ashtu konfirmoi se shitja e tyre do të vazhdojë të bëhet online, ani pse ka pasur probleme në të kaluarën.

Ai ka thënë se i kanë marrë të gjitha masat që të shkojë gjithçka siç duhet, pasi që kësaj radhe do të dalin në shitje të paktën 20 ditë para ndeshjeve.

“Prapë do t’i shesim online, edhe nëse ka pas gabime tani do të përmirësohen sepse do të dalin më herët në shitje. Besoj që do te shkojë gjithçka më mirë. Ato do të dalin në shitje 20 ditë para çdo ndeshje”, theksoi Ademi.

Ndër të tjera, Ademi foli edhe për idenë për ta zgjeruar stadiumin “Fadil Vokrri”.

“E kemi bërë si kërkesë, është çështje e shtetit dhe Ministrisë. Do të shikojmë mundësinë, unë kam bërë këtë kërkesë edhe në UEFA, shpresoj t’i kemi mjetet e duhura dhe të bëhet sa më shpejt. Projekti është për tribunën e lindjes në Fadil Vokrri dhe tashmë është e njoftuar edhe UEFA”.

Për shkak të formës shumë të mirë që po kalon Kosova, Ademi beson te realizmi i ëndrrës, kualifikimi në Euro 2020 – për faktin edhe se “Dardanët” kanë disa mundësi.

Kosova e nis aventurën për Euro 2020 kundër Bullgarisë në Fadil Vokrri në mars, ndërsa në Grupin A do të përballet edhe me Anglinë, Çekinë dhe Malin e Zi.

“Grupi është i fortë. Pavarësisht se kemi dëgjuar fjalë se Bullgaria nuk është në një formë të mirë, ata kanë traditë”, u shpreh Ademi.

“Por, duke e parë formën e skuadrës sonë dhe dëshirën e të gjithë opinionit dhe institucioneve, e po ashtu edhe lojtarë që e kanë marrë shumë seriozisht, besoj shumë te këta djem dhe besoj se Kosova do të jetë e kualifikuar”.

“Kemi disa mundësi, kemi mundësinë nga Liga e Kombeve, mundësia tjetër është nëse Anglia fiton në Ligën e Kombeve dhe liron tjetër vend në grup. Jemi duke punuar shumë në të gjitha aspektet që mos ta lëshojmë këtë mundësi”, deklaroi Ademi.