Statistikat që dëshmojnë se Messi dhe Ronaldo janë më të mirët e historisë

Sport February 05, 2019 - 09:51
Detajet

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë dëshmuar herë pas here se pse ata janë dy futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave.

Në historinë e futbollit, më parë, janë përmendur legjendarët si Pele, Diego Maradona, Gerd Muller dhe Johan Cruyff, por t’i fitosh pesë “Topa të Artë” të bën futbollist të jashtëzakonshëm.

Në fakt, tani, analisti i WorldFootball dhe Financial Times, John Burn-Murdoch ka përpiluar statistikat golashënuese të Messit dhe Ronaldos në krahasim me futbollistët tjerë që prej vitit 1980, shkruan gazeta “Zëri”.

Dhe lirisht mund të themi se argjentinasi dhe portugezi janë dukshëm më të mirë. Kapiteni i Barcelonës ka shënuar 579 gola dhe ka një mesatare golash prej 0.97 për 90 minuta. Nga ana tjetër, ylli i Juventusit ka shënuar 586 gola dhe ka një mesatare prej 0.84 golash në 90 minuta.

Me të dy lojtarët që kanë shënuar mbi 500 gola – dhe janë pranë 600-it – ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic është në vendin e tretë me 364 gola.

Le ta bëjmë një krahasim me legjendat tjera.

Image

Ish-sulmuesi i Real Madridit, Raul ka shënuar gjithsej 363 gola, derisa ikona e Premierligës angleze, Alan Shearer ka shënuar 341 sosh.

Kur vijmë te paraqitjet golashënuese që prej vitit 1980, 31-vjeçari, Messi, dhe 34-vjeçari, Ronaldo, e kanë treguar edhe njëherë dominimin e tyre në futbollin modern.

Derisa të dy lojtarët janë mbi 30-vjeç, ata nuk janë duke treguar aspak shenja të plakjes. Megjithatë, këtë sezon, statistikat e Messit e kanë bërë argjentinasin më superior në krahasim me Ronaldon.

Dita e hëne ishte speciale për Messin, i cili shënoi kontratën e parë profesionale me Barcelonën 15 vite më parë, që ndryshoi komplet historinë e klubit katalunas, që me sulmuesin argjentinas, e ka fituar çdo titull të mundshëm në Evropë.

Ndërkaq, Ronaldo sukseset më të mëdha i ka shënuar te Real Madridi, por famën e mori te Manchester Unitedi.

Në vitin 2009, kapiteni i Kombëtares së Portugalisë mori vëmendjen e botës së futbollit kur për shumën e 94 milionë eurove u transferua në kampin madrilen, ku qëndroi nëntë vite, duke fituar çdo titull të mundshëm, e në mesin e tyre edhe katër tituj të Ligës së Kampionëve.

Në korrik të vitit të kaluar, portugezi pas disa mosmarrëveshjeve me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez vendosi të largohej nga Madridi në drejtim të Juventusit. Te “Zonja e Vjetër”, Ronaldo tashmë e ka fituar titullin e parë – Superkupën e Italisë, si dhe në Serie A në 22 ndeshje, ka shënuar 17 gola dhe ka dhuruar shtatë asistime.

Të gjithë ne, ndjekësit e futbollit, duhet të jemi krenar që jetojmë në epokën e më të mirëve, Messit dhe Ronaldos./Zëri/