Transferimet e pazakonta

Sport January 24, 2019 - 14:53
Detajet

Klubet e futbollit shpeshherë kanë ditur të na befasojnë me transferimet e tyre. Transferimi i fundit i Kevin Prince-Boatengut prej Sassuolos te Barcelona pa dyshim që është njëri prej tyre. Por, bota e futbollit njeh edhe shumë transferime të këtij lloji dhe ne jua sjellim disa prej tyre, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Transferimi i Kevin Prince-Boatengut te Barcelona nga Sassuolo pa dyshim që ka habitur shumë njerëz. Por, derisa futbollisti ganez u bashkohet Lionel Messit dhe Luis Suarezit në “Camp Nou”, e përditshmja angleze “The Guardian” sjell disa prej transferimeve më të pazakonta në historinë e futbollit.

Allan Simonsen, prej Barcelonës te Charltoni në vitin 1982

Simonsen u ndje i tepërt te Barcelona kur klubi katalonjas nënshkroi me Diego Maradonan nga Boca Juniors. Ai nuk zgjodhi që të shkonte te Real Madridi ose te Tottenhami, por preferoi që të pranonte një ofertë nga klubi i kategorisë së dytë angleze, Charlton. Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 1977 qëndroi vetëm pesë muaj te klubi anglez, duke shënuar 9 gola në 16 ndeshje para se të rikthehej te klubi i fëmijërisë, Vejle BK.

Luther Blissett, prej Watfordit te Milani në vitin 1983

Efikas në “Vicarage Road” pasi erdhi nga ekipet zinxhirë, 27 golat e Blissettit e tërhoqën vëmendjen e Milanit, të cilët paguan 1 milion funte për shërbimet e tij. Sidoqoftë, koha e tij te Milani ishte e shkurtër, me italianët që pranuan një shifër përgjysmë më të ulët sesa që kishin paguar 12 muaj më herët, pas një edicioni ku kishte shënuar 5 gola në 30 paraqitje. Ai u rikthye te Watfordi.

Brian Laudrup, prej Fiorentinas te Rangersi në vitin 1994

Sulmuesi danez po kërkonte që të shpëtonte karrierën e tij pas përfundimit të një aventure zhgënjyese si i huazuar te Milanit dhe Walter Smith doli të jetë shpëtimtari i tij. Laudrup realizoi dy asistime në debutimin e tij dhe madje edhe e refuzoi mundësinë që t’i bashkohej Barcelonës gjashtë muaj më vonë, gjë e cila e befasoi Smithin. “Ai më shikoi mua dhe tha, ‘Brian, ti e ke refuzuar Barcelonën?’. Unë i thashë që preferoj të luaj kundër Falkirkut”, kishte thënë Laudrup.

Juninho, prej Sao Paulos te Middlesbroughi në vitin 1995

Ylli i prodhuar nga ekipi i të rinjve të Sao Paulos, Juninho, ishte pritur që t’i bashkohej ndonjë klubi të madh evropian, derisa Middlesbroughi bëri një ofertë prej 4.5 milionë funtesh për të. Ai qëndroi te klubi anglez për dy edicione, duke përfunduar edicionin e dytë në vendin e dytë në garën për çmimin “Lojtari i Vitit” para se të rikthehej në huazim në vitin 1999 dhe të nënshkruhej në formë të përhershme dy vjet më vonë.

Sergei Yuran, prej Spartak Moskës te Millwalli në vitin 1996

Pasi shkëlqeu për Benfican, Porton dhe Spartak Moskën, Yuran në mënyrë të befasishme e zgjodhi transferimin te Milwalli pas thirrjes së Mick McCarthyt, i cili ishte këshilluar për të dhe bashkëkombësin e tij Vasili Kulkov nga Bobby Robson. Por, gjithçka përfundoi në lot pas 16 paraqitjeve kur Milwalli ra në kategorinë e tretë. “Jimmy Nicholl tha se unë isha lojtari më joprofesionist që e kishte njohur. Kjo ishte e vërtetë”, deklaroi Yuran pas disa vitesh.

Carlos Tevez dhe Javier Mascherano, prej Corinthiansit te West Hami në vitin 2006

Nuk kishte ndodhur përherë që dy lojtarët më të mirë të rinj argjentinas të vënë në garë Real Madridin dhe Barcelonën me njëri-tjetrin, por vendimi i dyshes për t’iu bashkuar trajnerit Alan Pardew në “Upton Park” pa dyshim që i befasoi të gjithë. Derisa Mascherano shpejt u transferua te Liverpoolit, goli i Tevezit ndaj Manchester Unitedit e rrëzoi nga kategoria Sheffield Unitedin dhe më vonë West Hami u dënua me një gjobë prej 5.5 milionë funtesh për thyerjen e rregullave të Federatës së Futbollit të Anglisë për shkak të pronësisë së argjentinasit me palë të treta.

Julien Faubert, prej West Hamit te Real Madridi në vitin 2009

Kur klubi më i suksesshëm evropian të thërret, kushton shumë që t’i thuash jo. Pavarësisht se kishte bërë vetëm tetë paraqitje për West Hamin pasi u transferua nga Bordeaux në vitin 2007, francezi ishte parë si alternativë nga klubi madrilen pasi dështoi që ta transferonte Antonio Valencian nga Wigani. Ai luajti vetëm 54 minuta për ekipin e parë pasi që kishte humbur një stërvitje, duke menduar gabimisht që e kishte pasur pushim. Gjithashtu Faubertin e kishte zënë gjumi në bankën rezervë në një ndeshje ndaj Villarrealit.

Nicklas Bendtner, prej Arsenalit te Juventusi në vitin 2012

Ecuria mjaft e mirë si i huazuar te Sunderlandi bëri që ai të ishte i kërkuar në verën e vitit 2012, edhe pse u desh që të pritej deri në ditën e fundit që ai të transferohej te Juventusi në formë huazimi. Pas vetëm 339 minutave dhe asnjë goli në Serie A ata pa dyshim që i ranë pishman se pse e kishin marrë danezin dhe vendosën që të mos e transferonin sulmuesin në fund të edicionit./Zëri