Muriçi, anonimi i kthyer në hero

Sport January 24, 2019 - 14:09
Detajet

Portieri i përfaqësueses kosovare, Arijanet Muriçi është numri një i Manchester Cityt kur bëhet fjalë për ndeshjet e Kupës së Ligës, transmeton zeri.info

Së fundmi ai e mbrojti portën e klubit anglez në fitoren 1:0 në udhëtim te Burton Albion të mërkurën. Ai ka rrëmbyer zemrën e trajnerit Pep Guardiola dhe tifozëve të klubit anglez, shkruan prestigjiozja “Goal.com”.

Deri para pak kohësh Muriçi ka qenë një portier anonim. Manchester City nuk llogariste njëherë në shërbimet e tij dhe kishte vendosur që ta huazonte atë te klubi holandez, Nac Breda.

Sidoqoftë, portieri shqiptar nga Mali i Zi ia pa hairin lëndimit të portierit Claudio Bravos.

Lëndimi i Bravos ishte kthyer në një problem për Cityn, që kërkonte një portier të besueshëm si rezervist të Edersonit. Largimi i portierëve Joe Hart dhe Angus Gunn vetëm sa ia vështirësoi punën klubit anglez, që një kohë kishte menduar edhe për transferimin e Keylor Navasit.

Por, në fund të fundit klubi ia besoi rolin e portierit të dytë Muriçit. Reprezentuesi i Kosovës kishte lindur në Schlieren të Zvicrës dhe posedon pasaporta të te shteteve të ndryshme. Ai posedon pasaportën zvicerane, malazeze dhe atë kosovare.

Muriçi e filloi karrierën e tij te Young Fellows Juventus në Zurich, që u pasua me një periudhë të shkurtër të kaluar te FC Zurichu para se t’i bashkohet Grasshoppersit. Ajo që vlen për t’u cekur nga historia e Muriçit është se deri në moshën 11-vjeçare, askush nuk fliste për karrierën e tij si portier. Muriçi luante si lojtar, derisa një mik i babait të tij e bindi që të hynte në portë.

Guardiola: Muriçi mund të luajë si qendërmbrojtës

Muriçi ka përfituar nga loja e tij në fushë si i ri. Guardiola njëherë kishte lavdëruar jashtëzakonisht shumë aftësitë e reprezentuesit kosovar për të luajtur me top dhe gjithashtu ishte shprehur se portieri mund të luajë edhe si qendërmbrojtës. Muriçi mban fanellën e Manchester Cityt që prej vitit 2015, por për të siguruar shërbimet e tij ishte bërë një garë e fortë. Chelsea, Tottenhami, Galatasaray, Baseli dhe Manchester Unitedi kishin shprehur interesim për shqiptarin.

Portier i dytë edhe në edicionin e ardhshëm

“Ai ka një potencial të jashtëzakonshëm, është i gjatë, me fizik të mirë, por në të njëjtën kohë i shpejtë dhe i fortë”, ka deklaruar Guardiola. “Ai ka kurajë dhe e tregoi edhe një herë tjetër se sa i fortë është”, ishte shprehur strategu spanjoll pas ndeshjes ndaj Burtonit. Guardiola e di që mund të mbështetet te Muriçi. 20-vjeçari ka shanse të mira që të mbetet numri dy i Cityt edhe në edicionin e ri./Zëri