Ish-futbollisti i njohur: Ky lojtar ishte më i mirë sesa Messi e Ronaldo në 2018-n

Sport January 24, 2019 - 13:16
Detajet

Mohamed Salah ishte më i mirë sesa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo gjatë vitit 2018. Kështu mendon legjenda e Liverpoolit, Ian Rush, i cili shpreson që reprezentuesi egjiptian të qëndrojë për një kohë të gjatë në “Anfield” dhe të bëhet një legjendë e gjigantit anglez, transmeton zeri.info

Legjenda e Liverpoolit, Ian Rush beson se Mohamed Salah ishte më i mirë sesa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në vitin 2018.

Rush gjithashtu thotë se reprezentuesi egjiptian do të mund të bëhet një legjendë e gjigantit anglez nëse vazhdon me këtë ritëm dhe nëse i reziston largimit nga “Anfield”.

Liverpooli ka hasur në vështirësi që të mbajë sulmuesit e mëdhenj gjatë viteve të fundit. Fernando Torres ishte larguar në drejtim të Chelseat, derisa Suarez nënshkroi me Barcelonën pas një edicioni ku ishte shumë afër që të fitonte titullin e ligës angleze.

Salah është duke shkëlqyer me Liverpoolin që prej transferimit të tij nga Roma në verën e vitit 2017, derisa në edicionin e kaluar e fitoi “Këpucën e Artë” në Premierligë.

Rush shpreson që Salahu të vazhdojë kështu dhe që ai të mbetet te gjiganti anglez për një kohë të gjatë.

“Mo ishte i jashtëzakonshëm në edicionin e kaluar. Për mendimin tim, ai ishte lojtari më i mirë në botë. Si nuk ia doli që të jetë në disa prej ekipeve të vitit, këtë nuk e di. Ai ishte më i mirë se “(Lionel) Messi apo (Cristiano) Ronaldo në 2018-n”, deklaroi Rush.

“Në fillim të këtij edicioni ai pati pak vështirësi. Ekipet e kishin kuptuar pak atë dhe i vendosnin dy njerëz që ta ruanin. Por, loja e tij në qendër ka dalë të jetë brilante. Ai është bërë më i mirë, një lojtar më i kompletuar. Në nivelin personal ai mund të mos e arrijë atë që e bëri edicionin e kaluar, por nëse ai shënon 30 gola dhe Liverpooli e fiton titullin, ai do të kishte një edicion edhe më të mirë”, shtoi ai.

Rush gjithashtu u shpreh se Liverpooli ka nevojë që ta mbajë Salahun. “Njerëzit flasin për Torresin dhe Suarezin, ata ishin lojtarë të shkëlqyeshëm, por ata nuk qëndruan mjaftueshëm. Unë dua që Mot ë qëndrojë për një kohë më të gjatë se ata dhe të bëhet një legjendë e vërtetë këtu”, ka thënë Rush.

Salah shënoi plot 44 herë në edicionin 2017/2018, duke ndihmuar edhe rrugëtimin e Liverpoolit drejt finales së Ligës së Kampionëve./Zëri