Kelmendi e Kuka gati për Grand Prix në Tel Aviv

Sport January 23, 2019 - 17:50
Detajet

Majlinda Kelmendi dhe Loriana Kuka do ta përfaqësojnë Kosovën në turneun Grand Prix të xhudos që mbahet prej nesër deri të shtunën në Tel Aviv të Izraelit. Grand Prixi është gara e parë ndërkombëtare për vitin 2019 në xhudo.

Kampionia Olimpike, Kelmendi, garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa Kuka në kategorinë deri në 78 kilogramë.

Uebfaqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), ka shkruar se ky vit pritet të jetë plot shkëlqim për Majlindën.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, që ndodhet në Tel Aviv, deklaroi për “noc-kosovo.org” se në Tel Aviv do të marrin pjesë vetëm Kelmendi e Kuka, ndërsa xhudistët tjerë do të paraqiten në Grand Slamin e Parisit, që mbahet muajin e ardhshëm.

Majlinda do të garojë të enjten, ndërsa në shortin e hedhur sot ajo do të përballet në raundin e dytë (raundin e parë e kaloi pa luftë) me fituesen e çiftit Tetiana Levytska Shukvani (Gjeorgji) – Paz Kafri (Izrael). Loriana përballet me Lluna Lucassen (Holandë).