Ky është vendimi i gjykatës pas kërkesës për eliminimin e Barçës nga Kupa e Mbretit

Sport January 23, 2019 - 13:41
Detajet

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka vendosur që ta lejojë Barcelonën të garojë në Kupën e Mbretit, përkundër kërkesës që e kishte parashtruar Levante. Drejtuesit e Levantes pretendonin se katalonasit duhet të eliminohen për shkak të parregullsisë në rastin e Chumit.

Levante fillimisht ia kishte parashtruar këtë kërkesë Federatës së Futbollit të Spanjës, mirëpo këta të fundit e refuzuan këtë kërkesë pasi që deklaruan se kishte kaluar afati kohor për t’u ankuar, transmeton Gazeta Express.

Levante pretendonte se katalonasit duhet të eliminohen pasi që pjesë e skuadrës në ndeshjen e parë të Kupës së Mbretit kishte qenë edhe Chumi, i cili nuk ishte i lejuar të luante. Chumi ishte ndëshkuar me kartonin e pestë të verdhë për këtë sezon me ekipin B të Barcelonës dhe për këtë arsye ai nuk kishte të drejtë të luante.

Katalonasit e kishin humbur atë ndeshje, të zhvilluar më 10 janar, me rezultat 2-1. Levantes i kishin mjaftuar katër minuta për të kaluar në epërsi, ndërsa e dyfishoi rezultatin përmes golit të Borja Mayoralit në minutën e 18-të. Pak para se të përfundonte ndeshja, Philippe Coutinho kishte shënuar nga 11-metërshi për ta ngushtuar rezultatin.

Mirëpo, Barcelona e siguroi kualifikimin në fazën e ardhshme të Kupës së Mbretit, pasi e fitoi ndeshjen kthyese me rezultat 3-0. Levante u eliminua pasi që rezultati i përgjithshëm i ndeshjes ishte 4-2.