KB Lipjani - Ponte Prizreni, ja çka ndodhi

Sport January 19, 2019 - 20:23
Lexoni më shumë lajme nga sporti

Ponte Prizreni ka fituar në udhëtim te Lipjani me rezultat 101:74, në ndeshjen e parë të javës së 15-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Lipjani për herë të parë luajti para shikuesve të vet, pasi tashmë është inauguruar palestra e re, por as kjo nuk i ndihmoi të shmangte humbjen.

Elliote Cole (26), Brandon Scott (16), Malcolm Canada (15), Ergin Grosha (14), Qëndrim Ajazaj (12) dhe Blend Matoshi (10) realizuan pikë dyshifrore për skuadrën prizrenase.

Ndërsa, më efikasi te skuadra vendëse ishte Qëndrim Demi, i cili ndeshjen e përfundoi me 20 pikë të shënuara. Pikë dyshifrore patën edhe Arjan Mehmeti (16) e Bryon Harris (15).

Me këtë fitore, Ponte Prizreni është ngjitur në kuotën e 21 pikëve aq sa ka edhe Bashkimi dhe së paku deri nesër mbrëma renditet në pozitën e 5-të.

Ndërsa, për Lipjanin kjo ishte humbja e 13-të në 15 ndeshjet e deritashme dhe aktualisht gjendet në pozitën e 7-të (e parafundit) me 17 pikë, një më shumë se Borea që luan nesër.