Ozili duket i dorëzuar

Sport January 18, 2019 - 11:32
Detajet

Ish-futbollisti i Arsenalit, Emmanuel Petit, mendon se Mesut Ozil është dorëzuar. Francezi thotë që Ozil e ka humbur motivimin dhe dëshirën për të luajtur futboll. Por, gjithashtu i bën thirrje atij që të këndellet, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Ish-mesfushori i Arsenalit, Emmanuel Petit, beson se Mesut Ozil e ka humbur motivimin dhe dëshirën për të luajtur, derisa edhe e ka vënë në dyshim të ardhmen e ish-reprezentuesit gjerman te klubi londinez, duke thënë se ai po e pret pensionimin.

Pavarësisht se Ozil kishte nënshkruar kontratë të re me klubin londinez para më pak se një viti, fituesi i Kupës së Botës shpejt mund të largohet nga “Emirates”. Agjenti i futbollistit ka kërkuar bisedime për një transferim, por Unai Emery vazhdon të besojë te mesfushori, për të cilin thotë se është pjesë e rëndësishme e planeve të tij.

Petit beson se futbollisti me prejardhje turke ka mbetur jashtë të preferuarve për shkak se ai ka arritur atë që e ka dashur me karrierën e tij, një lojtar që kishte arritur kulmin në futboll, kurse tani mezi po arrin të veprojë. “Unë mendoj se ai e ka humbur motivimin dhe dëshirën. Ai duket sikur është duke e pritur pensionimin e tij. Që një lojtari t’i humbë motivimi ndodh shpesh. Ne nuk jemi robotë. Ndonjëherë hyni në edicionin e ri dhe gjërat nuk janë njësoj. Është shumë e vështirë për të luajtur në të njëjtin nivel gjatë gjithë kohës”, deklaroi Petit. “Nëse fitoni aq shumë para, keni fituar aq shumë tituj, por nëse keni probleme me jetën tuaj private, atëherë... Unë nuk e di se çfarë po ndodh në jetën e tij, por unë e shoh se çfarë po ndodh në fushë dhe gjuha e trupit të tij nuk është e mirë. Është për të ardhur keq sepse unë shpresoj që ai të bëjë diçka jo vetëm për veten e tij, por edhe për klubin. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por ai duhet përkushtim. Është janar, për dy javë afati kalimtar do të mbyllet. Unë nuk e shoh largimin e tij nga klub. Ku do të shkonte? Në Kinë? Sinqerisht. A dëshironi ta shihni Ozilin duke e mbyllur karrierën në Kinë? Unë nuk kam asgjë kundër Kinës, por për një lojtar si Ozili kjo gjë nuk duhet të ndodhë”, shtoi francezi. “Unë mendoj se klubit i nevojitet Ozili. Ozili duhet ta kuptojë këtë dhe ai duhet ta kalojë acarimin dhe duhet të luftojë deri në fund. Në një mënyrë ta shpëtojë krenarinë e tij”, u shpreh ai./Zëri