Cech, portieri legjendar i Premierligës

Sport January 17, 2019 - 12:54
Detajet

Petr Cech njoftoi të martën se do të pensionohet nga futbolli aktiv në fund të këtij edicioni. Portieri çek pa dyshim se do ta mbyllë karrierën si një legjendë e Premierligës. Ai ka fituar 18 tituj gjatë kohës së tij te Chelsea dhe te Arsenali. Çeku kishte luajtur një rol heroik në triumfin e Chelseat në Ligën e Kampionëve në vitin 2012. Ai kishte pritur një penallti në kohën shtesë para se të ndalte edhe dy të tjera në serinë e gjuajtjeve të penalltive, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Mos shikoni më larg sesa vetëm një natë në Munih dhe tri pritje vendimtare të penalltive në finalen e Ligës së Kampionëve për ta vënë re se sa e jashtëzakonshme është karriera e Petr Cechut.

Portieri çek e mbajti Chelsean në atë lojë atë natë ndaj Bayern Munichut në “Allianz Arena”, kur priti penalltinë e Ajen Robbenit në kohën shtesë dhe më pas ua mohoi golin Ivica Olicit dhe Bastian Schweinsteiger në serinë e gjuajtjeve të penalltive. Pritja e tij në gjuajtjen e Schweinsteigerit, duke e prekur fare pak me gishtat e tij topin që shkoi në shtyllë, ia përgatiti terrenin Didier Drogbas që të gjuajë për triumfin në Ligën e Kampionëve, triumf të cilin e kërkuan dhe e kane ndjekur për shumë vite. “Desha të shënoja për Petr Cechun”, kishte thënë Drogba një ditë pas fitores.

Cech ishte një hero i famshëm për shkak të personalitetit të tij dhe gjithë asaj që kishte arritur gjatë karrierës së tij dhe përvoja personale të hidhura, duke luftuar për t’u rikthyer në maje pas një lëndimi që pothuajse ia përfundoi karrierën në futboll. Jo vetëm që ai ishte vazhdimisht brilant dhe një model shembullor sa herë që paraqitej për Chelsean, por ai ishte i ndjeshëm, inteligjent dhe kishte një karakter të pjekur në dhomat e zhveshjes. Ai fliste rrjedhshëm pesë gjuhë, duke u bërë mjeshtër i spanjishtes për më pak se një muaj dhe gjithmonë ishte i gatshëm për të marrë përgjegjësi kur ishte nevoja para medieve. Atij gjithashtu i pëlqente që t’i binte baterive.  

Kur të pensionohet në fund të këtij edicioni, Cech i ka të gjitha aftësitë për të marrë ndonjë rol ekzekutiv në ndonjë klub të madh. Pse jo në “Stamford Bridge”, vend ku është idhull i të gjithëve?

Së bashku me Drogban, John Terryn dhe Frank Lampardin, ai ishte njëri prej katër figurave kyçe të një ekipi që u krijua nga Jose Mourinho e që u financua nga Roman Abramovich. Një ekip që kaloi dhe vuajti gjithçka së bashku dhe u adaptuan derisa u kurorëzuan si kampionë evropianë në vitin 2012.

Transferimi i tij prej 7 milionë funtesh nga Rennesi ishte arritur në kohën e Claudio Ranierit, por 22-vjeçari arriti në klubin londinez së bashku me Mourinhon në verën e vitit 2004.

Brenda vitit Chelsea kishte fituar titullin e parë pas një gjysmë shekulli, 12 më pikë më shumë sesa Arsenali dhe kishte pësuar vetëm 15 gola në 38 ndeshje. Një vit më vonë ata e fituan përsëri titullin dhe Cech u bë njëri prej portierëve më të mirë në botë.

Ai kurrë nuk u tregua mburravec. Ai ishte komandues në ajër dhe mjaftueshëm i zhdërvjellët për të bërë pritje të jashtëzakonshme, ishte autoriteti i tij i pazëshëm, aftësia për të lexuar rrezikun dhe organizimi i mbrojtësve që e karakterizon më së miri. Ai ishte një profesionist i vërtetë, i dedikuar ndaj zanatit të tij dhe gjithmonë në kërkim të përmirësimit.

Si pjesë e parapërgatitjeve për finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2012, ish-portieri i Chelseat kishte studiuar të gjithë futbollistët e Bayern Munichut që kishin gjuajtur penallti gjatë pesë vjetëve të fundit. Ai shkoi në anën e duhur në të gjashtë gjuajtjet e penalltive.

Ishte tetori i vitit 2006 kur Cech e përjetoi një lëndim të rëndë, duke thyer kafkën në një duel me Stephen Huntin gjatë një ndeshje me Readingun. Atij i është dashur një operim urgjent për ta shpëtuar jetën dhe fakti që ai iu rikthye portës në janar, duke vënë një maskë mbrojtëse, që edhe u bë tipar i tij, është një testament që tregon kurajën dhe vendosmërinë e tij.

Dhe përderisa të gjithë po kërkonin shenja që ai nuk do të jetë më i njëjti pas atij lëndimi serioz, ai tregoi se përsëri mund të arrijë nivele të pabesueshme të paraqitjeve të tij, derisa vazhdonte të fitonte tituj.

Cech fitoi ligën dhe kupën në vitin 2010, Ligën e Kampionëve në vitin 2012 dhe Ligën e Evropës në vitin 2013, por e humbi vendin e tij në formacionin e Chelseat kur Thibaut Courtois u rikthye pas një periudhe si i huazuar te Atletico Madridi. Ai ishte portieri i dytë i klubit londinez kur triumfoi për herë të katërt në Premierligë në vitin 2015, para se të lëvizte drejt Arsenalit me bekimin e Abramovichit pas plot nëntë vjetëve të kaluara në “Stamford Bridge”. Në fakt, ai nuk ka qenë më i njëjti që prej largimit nga Chelsea për te Arsenali.

Së pari mbrojtja e ndërtuar nga Mourinho, që mbijetoi edhe te pasardhësit e tij deri në rikthimin e tij si trajner, kishte ofruar shumë më shumë siguri për portierin sesa mbrojta e Arsene Wengerit. Përkushtimi në sulm i skuadrës së Wnegerit bëri që portieri të mbesë i ekspozuar dhe Cech, i cili ishte në moshën 33-vjeçare kur u transferua te Arsenali, gjithmonë dukej se po jepte pasiguri e jo më stabilitet.

Cech e fitoi Kupën FA për herë të pestë në vitin 2017, edhe pse ishte në bankën rezervë sepse David Ospina ishte zgjedhur për të luajtur titullar në finalen ndaj Chelseat.

Ai do të pensionohet në fund të edicionit me një nderim për t’u pasur zili. Katër premierliga, pesë kupa FA, tri kupa të Ligës, dy trofe evropianë dhe një rekord prej 124 paraqitjesh për Republikën Çeke. Ai ishte njëri prej portierëve më të mëdhenj në epokën e Premierligës dhe heroizmi i tij në Munih nuk do të harrohet kurrë./Zëri