‘Transfermarkt’ zbulon fakte interesante për Kosovën

Sport January 16, 2019 - 09:44
Detajet

Përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Evropian, Euro 2020, për herë të parë në histori.

Bullgaria, Mali i Zi, Republika e Çekisë dhe Anglia janë kundërshtarët e Kosovës, ndeshje të cilat do të zhvillohen këtë vit.

Në stadiumin, "Fadil Vokrri'', Kosova e fillon këtë fazë ndaj Bullgarisë, më 25 mars, të këtij viti.

Por, bullgarët nuk shihen rreziku kryesor i 'Dardanëve', por e tillë konsiderohet Anglia, Kombëtare e cila ka një fond të jashtëzakonshëm të lojtarëve, shkruan Zëri.

Dy sfidat me 'Tre Luanët', Përfaqësuesja jonë i zhvillon në shtator dhe në nëntor, teksa fillimisht luajmë në "Wembley'', e më pas i presim në Prishtinë.

Image

Kosova e filloi furishëm Ligën e Kombeve vitin e kaluar, duke e mbyllur këtë aventurë në mënyrën më të suksesshme të mundshme,

Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes e fitoi grupin përkatës në kompeticionin në fjalë, derisa u kualifikua në gjysmëfinale të kësaj gare ku do të përballet me Maqedoninë.

Nuk ka dyshim se Kosova ka një të ardhshme të ndritur para vetes, derisa posedon një fond me lojtarë të jashtëzakonshëm, si dhe të rinj.

Shumë prej tyre luajnë në kampionate të mëdha evropiane, derisa ka prej tyre që luajnë edhe te kampioni i Anglisë (Manchester City), siç është rasti i Arijanet Muriçit, i cili aktualisht është portier i dytë i ‘Qytetarëve’.

Por, cila është mosha mestatare e futbollistëve të Përfaqësueses kosovare dhe cila është vlera e tyre e përgjithshme në tregun e transferimeve?

Sipas magazinës prestigjioze, ‘Transfermarkt’, mosha mesatare e futbollistëve të Kosovës është 23-26 vjeç.

Lojtari më i vjetër i Përfaqësueses më të re në Evropë është portieri, Samir Ujkani, i cili në të njëjtën kohë është edhe kapiten (30 vjeçar).

Pas tij vijnë lojtarët si Atdhe Nuhiu (29 vjeç), Herolind Shala (26), Benjamin Kololli (26).

Kurse, në tregun e transferimeve, lojtari më i shtrenjtë i Përfaqësueses kosovare është 25-vjeçari, Valon Berisha, i cili ka një vlerë tregu prej 7 milionë e 500 mijë euro, gjithnjë sipas ‘Transfermarkt’.

Vlera e Berishës shënoi rritje pas kalimit të tij te Lazio nga RB Salzburg.

Ndërkaq, Transfermarkt e vlerëson portierin e Prishtinës, Visar Bekaj si lojtarin më të lirë, 200 mijë euro.

Në përgjithësi, vlera e përgjithshme e futbollistëve të Kosovës në tregun e transferimeve është 36,55 milionë euro./Zëri/