Trajneri i njohur mezi e pret daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja

Sport January 14, 2019 - 12:21
Detajet

Trajneri anglez, Neil Warnock, thotë se mezi e pret daljen e shtetit të tij nga Bashkimi Evropian. Warnocku, i njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta, shprehet se kjo gjë nuk do të ndikojë në aspektin sportiv, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Përderisa pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar është duke pritur me interesim të madh se çfarë do të ndodhë pas Brexitit, trajneri i Cardiff Cityt, Neil Warnock ka konfirmuar se mezi e pret daljen nga Bashkimi Evropian.Image

Detajet e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja kanë dominuar ballinat e gazetave, pasi një shumicë e thjeshtë e popullit votuan në favor të kësaj në referendumin e vitit 2016. Tani derisa afati i fundit për një marrëveshje me Evropën është afër, parlamenti mbetet i bllokuar, ndërsa bëhet thirrje edhe për një referendum të dytë.

Pa dyshim që kjo është një çështje e cila kërkon durim dhe përkushtim të madh, por Warnock, i njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta, është duke e marrë këtë çështje me një mënyrë tjetër.

“Mendoj se kur shteti ta marrë vesh se çfarë është duke bërë, do të jetë më e lehtë (për të bërë transferime). Çdo afat kalimtar është i vështirë për mua, jo vetëm ky”, deklaroi Warnocku pasi u pyet nëse dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do t’ia vështirësojë punët Cardiffit në afatin kalimtar.

“Unë nuk e di se pse politikanët nuk e bëjnë atë që do populli, që të jem i sinqertë. Ata e bënë një referendum dhe tani ne shohim politikanë të ndryshëm e të gjithë të tjerët që duan ta ndryshojnë këtë. Pse e bëmë pra atë referendum?”, shtoi ai.

“Mezi po pres të dalim, që të jem i sinqertë. Mendoj se do të jemi më mirë jashtë saj. Në çdo aspekt. Gjithashtu edhe në futboll. Shkoftë në djall pjesa tjetër e botës!”, u shpreh trajneri.

Gjatë javës së kaluar kishte bërë bujë edhe lajmi që trajneri i Leeds Unitedit, Marcelo Bielsa, kishte dërguar spiunë për t’i vëzhguar stërvitjet e rivalit Derby Countyt. Trajneri i Derby Countyt, Frank Lampard, nuk pa asgjë qesharake te kjo gjë, por Warnocku e mori me më qetësi këtë praktikë, që sipas Bielsas është gjë normale. “Qesharake apo jo? Dua të them, ai (Bielsa) thotë se kjo gjë ndodhë gjithkund në botë. Më dëgjoni, unë shpresoj që ata të vijnë dhe të na shikojnë neve, do t’i hutojë ata. Ata janë më se të mirëseardhur që të vijnë dhe të na shikojnë duke u stërvitur”, tha trajneri veteran./Zëri