Bekim Isufi e zbulon këtë vështirësi të klubeve kosovare

Bekim Isufi e zbulon këtë vështirësi të klubeve kosovare

Sport janar 11, 2019 - 11:18

Afati kalimtar dimëror në Superligën e Kosovës në futboll ka filluar më 1 janar dhe do të mbyllet në ditën e fundit të këtij muaji (31 janar). Klubet kosovare po e kanë problem të gjejnë futbollistë në Kosovë, pasi shumica e tyre janë me kontrata.  Ekipet e Superligës e “kanë hedhur” grepin në rajon, kryesisht në Shqipëri ku po kërkojnë transferime.

Stinorin vjeshtor në kampionatin elitar kosovar e dominoi Prishtina, e cila e përfundoi këtë fazë në vendin e parë në tabelë me 40 pikë të grumbulluara, duke lënë pas skuadrat si Feronikeli dhe Llapi. Por trajneri i kryeqytetasve, Mirel Josa, ka thënë se përforcimet në këtë miniafat janë tejet të vështira që të ndodhin dhe se klubi duhet të jetë i kujdesshëm.

Prishtina tashmë i ka filluar përgatitjet për stinorin pranveror dhe deri më tani nuk e ka zyrtarizuar ndonjë blerje, por gjatë ditës së enjte ka njoftuar për largimin e Përparim Osmanit në huazim drejt Dritës.

Nga ana tjetër, pretenduesi tjetër për titull, Feronikeli, deri më tani ka larguar katër lojtarë në huazim drejt Drenicës, por që ende nuk e “ka marrë guximin” ta bëjë ndonjë transferim.

Pa dyshim, skuadra më e përforcuar e këtij afati është KEK-u, e cila ka transferuar gjashtë lojtarë, derisa Ballkani ka realizuar pesë transferime.

Keq nuk ka mbetur as Llapi, pasi që klubi nga Podujeva deri më tani ka afruar katër lojtarë, teksa ka larguar pesë sosh.

Isufi: Vështirë për lojtarë cilësorë

Bekim Isufi, trajner i njohur kosovar, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se në këtë miniafat është vështirë të gjenden lojtarë cilësorë. “Afat i kushtëzuar. Do të jetë e vështirë që klubet të gjejnë lojtarë cilësorë, pasi të gjithë janë në kontrata me klubet e tyre përkatëse. Ndoshta në këtë afat Prishtina, Feronikeli dhe Llapi kanë më së paku nevojë të përforcohen, pasi kanë një fond të mjaftueshëm të lojtarëve”, ka deklaruar Bekim Isufi të enjten.

“Për fund, nuk besoj se do të ketë përforcime ‘bombastike’”, theksoi Bekim Isufi.