Pulisic, amerikani i 46-të në Premierligë

Sport January 04, 2019 - 11:59
Detajet

Christian Pulisic ka kompletuar transferimin e tij prej 64 milionë eurosh te Chelsea. Mesfushori 20-vjeçar do të bëhet futbollisti i 46-të amerikan që të do të luajë në Premierligën angleze. Brad Friedel, Kasey Keller dhe Tim Howard ishin portierë jetëgjatë në Angli, derisa Clint Dempsy pati një periudhë të mirë si golashënues gjatë kohës së tij te Fulhami. Landon Donovan ishte kthyer në një futbollist të adhuruar nga tifozët gjatë dy periudhave të kaluara si i huazuar tek Evertoni. Por, ka edhe amerikanë që nuk kanë arritur të lënë gjurmët e tyre në elitën e futbollit anglez, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Christian Pulisic do të bëhet futbollisti i 46-të amerikan që do të luajë në Premierligë, pas transferimit të tij prej 64 milionë eurosh te Chelsea nga Borussia Dortmundi. Mesfushori i talentuar do t’i bashkohet klubit londinez në verën e ardhshme dhe do të hyjë në listën e lojtarëve amerikanë që kanë luajtur në elitën e futbollit anglez.

Fytyra më e njohur prej yjeve amerikane që kanë luajtur në Premierligë pa dyshim që është ish-portieri Brad Friedel. Portieri me gjatësi 190 centimetra kaloi 18 vjet duke luajtur për Liverpoolin, Blackburn Roversin, Aston Villan dhe Tottenham Hotspurin. Prej vitit 1997 deri në pensionimin e tij në 2015-n ai bëri 450 paraqitje në ligë, më shumë se çdo bashkëkombës i tij.

Ai ndiqet nga një tjetër portier Tim Howard, i cili ka luajtur 399 herë në Premierligë për Manchester Unitedin dhe Evertonin mes viteve 2003 dhe 2016.

Emri i tretë në këtë listë është Clint Dempsey, i cili së pari bëri emër me Fulhamin para se të kalonte një edicion te Tottenhami në sezonin 2012/2013. Sulmuesi nga Teksasi më pas u rikthye në “Craven Cottage” për një aventurë të shkurtër në formë huazimi, duke kompletuar 218 paraqitjet e tij në Premierligë, gjatë së cilave realizoi 72 gola.

Një tjetër emër i njohur që hyn në këtë listë të lojtarëve është edhe portieri Kasey Keller (201 paraqitje), i cili ka luajtur për Leicester Cityn, Tottenhamin, Southamptonin dhe Fulhamin.

Geoff Cameron, i cili kaloi gjashtë edicione në elitën e futbollit anglez me Stoke Cityn para se të binte nga kategoria në majin e kaluar, numëron 168 paraqitje.

Një tjetër portier amerikan me përvojë është Brad Guzan, që ka luajtur 154 ndeshje për Aston Villan dhe Middlesbroughin para se të rikthehej në Amerikë te Atlanta United.

Brian McBride shënoi 37 gola në 148 ndeshje për Evertonin dhe Fulhamin, derisa Carlos Bocanegra, Tim Ream dhe Marcus Hahnemann janë disa amerikanë të tjerë që kanë luajtur përkrah tij te Fulhami.

Jozy Altidore mund të ketë luajtur 110 për shtetin e tij, por aventurat e tij te Hull City dhe Sunderlandi në Angli ishin më pak të suksesshme me sulmuesin që realizoi vetëm dy gola në 70 ndeshje.

Një lojtar amerikan që është duke pasur sukses në Angli është mbrojtësi i djathtë DeAndre Yedlin, i cili së pari kishte nënshkruar me Tottenhamin, por ka luajtur më rregullisht me Newcastle Unitedin.

Landon Donovan është një legjendë e përfaqësueses amerikane dhe u kthye në një futbollist të pëlqyer nga tifozët me dy aventurat e shkurtra, por shumë produktive të kaluara te Evertoni gjatë kohës sa ishte në krye David Moyes.

Një pjesë tjetër e emrave që kanë lënë gjurmë me paraqitjet e tyre janë edhe Claudio Reyna (105 paraqitje), Jonathan Spector (124 paraqitje) dhe Roy Wegerle (75 paraqitje), që luajtën për klube që përfshijnë Blackburn Rovers dhe Coventry City gjatë viteve të ’90-ta.

Por, ka edhe amerikanë që nuk do të mbahen edhe aq shumë mend në Premierligë. Lynden Gooch luajti 11 herë në Premierligë për Sunderlandin, por që tani luan në kategorinë e tretë të futbollit anglez.

Michael Bradley ishte një emër i madh në Amerikë, por ka luajtur vetëm tri herë në ligë gjatë huazimit tek Aston Villa në vitin 2011.

Mbrojtësi i Chelseat, Matt Miazga, ishte nënshkruar nga klubi amerikan New York Red Bulls në vitin 2016, por ka bërë pak paraqitje me londinezët, derisa tani është në huazim te Nantes në Francë. Sidoqoftë, ai ka më shumë paraqitje në elitën e futbollit anglez sesa Maurice Edu (Stoke City), Johann Smith (Bolton) dhe Emerson Hyndman (Bournemouth), që numërojnë vetëm nga një paraqitje.

45 amerikanët që kanë luajtur në Premierligë

Brad Friedel (450), Tim Howard (399), Clint Dempsey (218), Kasey Keller (201), Geoff Cameron (168), Brad Guzan (154), Brian McBride (148), Jonathan Spector (124), Carlos Bocanegra (116), Marcus Hahnemann (115), Claudio Reyna (105), DeAndre Yedlin (76), Roy Wegerle (75), Jozy Altidore (70), DeAndre Yedlin (69), Jo-Max Moore (52), Preki (46), John Harkes (43), Jurgen Sommer (33), Eric Lichaj (32), Jay DeMerit (32), Bobby Convey (29), Stuart Holden (28), Eddie Lewis (25), Tim Ream (24), Jovan Kirovski (23), Danny Williams (23), Cobi Jones (21), Eddie Johnson (19), DaMarcus Beasley (18), Zak Whitbread (18), Landon Donovan (17), Jermaine Jones (15), Lynden Gooch (11), Oguchi Onyewu (11), Benny Feilhaber (10), Jemal Johnson (6), Ian Feuer (5), Michael Bradley (3), Brek Shea (3), Paul Rachubka (3), Matt Miazga (2), Maurice Edu (1), Johann Smith (1) dhe Emerson Hyndman (1).

*Në kllapa janë paraqitjet e tyre në Premierligë