Presidenti i FIFA-s paralajmëron për ndryshime në Kupën e Botës 2022

Sport January 02, 2019 - 15:20
Detajet

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se organi qeverisës i futbollit botëror është duke e shqyrtuar mundësinë e rritjes së numrit të kombëtareve që do të luajnë në turneun e Kupës së Botës 2022 në Katar nga 32 në 48.

Nëse ky ndryshim ndodhë, atëherë Infantino ka bërë të ditur se FIFA do të detyrohej t’ia ndante Katarit të drejtën e organizimit të turneut me vendet fqinje, për shkak se do të nevojitej hapësirë më e madhe, transmeton Gazeta Express.

“Kupa e Botës do të zhvillohet në Katar me 32 skuadra. Natyrisht, nëse mund ta rrisim këtë numër në 48 dhe ta bëjmë botën më të lumtur, ne do ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë Infantino në Konferencën Ndërkombëtare të Sportit në Dubai.

“Nëse ju mendoni se është ide e mirë t’i kemi 48 skuadra në Kupën e Botës, pse të mos e bëjmë këtë gjë qysh katër vite më parë. Për këtë arsye, ne jemi duke e analizuar mundësinë për t’i pasur 48 skuadra edhe në 2022-ën”.

“Nëse arrijmë t’i përfshijmë edhe disa nga vendet fqinje të Katarit për të qenë nikoqire për disa nga ndeshjet e Kupës së Botës, kjo do të ishte në të mirë të këtij regjioni, por edhe në të mirë të të gjithë botës”.

Në fillim të këtij viti, FIFA kishte marrë vendimin për ta rritur numrin e vendeve pjesëmarrëse në turneun e Kupës së Botës të vitit 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Numri është rritur nga 32 vende në 48.

Katari, me popullsi prej rreth 2.5 milionë njerëzve, e kishte fituar të drejtën e të qenit nikoqir i turneut të vitit 2022. Nëse numri i vendeve pjesëmarrëse rritet, atëherë Katari duhet ta ndajë këtë përgjegjësi me vendet fqinje.