Magjia nga një Gadishull

Sport December 30, 2018 - 09:58
Lajmet e fundit nga sporti
Image

Gadishulli Ballkanik njihet nga bota kryesisht për luftërat dhe konfliktet e dhunshme. Pavarësisht se kjo pjesë e Evropës ka ditur të dhurojë talente të mëdha në sport, kjo gjë gjithmonë ka ngelur nën hije për shkak të luftërave. Sidoqoftë, falë suksesit historik që Kroacia, dikur pjesë e Jugosllavisë, arriti në Kampionatin Botëror, perceptimi i botës për Ballkanin ka ndryshuar. Këtë gjë e ka ndihmuar edhe Luka Modric, futbollisti që arriti të thyejë dominimin 10-vjeçar të Cristiano Ronaldos dhe të Luka Modricit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kur flitet për Ballkanin mendja të shkon te lufta ose te konfliktet e përgjakshme që kanë ndodhur në këtë pjesë të Evropës. Historia e luftërave dhe konflikteve të dhunshme përgjatë shekujve ka bërë që bota të ketë një perceptim të keq për Gadishullin Ballkanik. Ose të paktën ky ka qenë perceptimi i deritashëm.

Krahas luftërave Ballkani ka ditur të dhurojë edhe emra të mëdhenj të sportistëve. Por kjo gjë ka mbetur gjithmonë nën hije për shkak të gjakut të madh që është derdhur në këtë toka. Sidoqoftë suksesi i madh i Kroacisë, vend i cili është 536 kilometra vijë ajrore larg Kosovës, në Botërorin “Rusia 2018” pa dyshim që ka ndikuar në ndryshimin e perceptimit të botës për këtë gadishull.

Kroacia, e cila nuk bënte fare pjesë në mesin e favoritëve për të fituar në Botëror, doli e para në grupin D të Botërorit me bilanc të qindpërqindtë të fitoreve, madje edhe duke arritur një fitore të thellë 3:0 në grup ndaj një përfaqësueseje si Argjentina. Ndërkohë, në të tetën e finales ekipi i drejtuar nga Zlatko Dalic triumfoi me penallti ndaj Danimarkës, pasi që koha e rregullt dhe vazhdimet ishin mbyllur me rezultatin 1:1. Ashtu si ndaj danezëve, kroatët fituan me penallti edhe në çerekfinale, kësaj radhe ndaj vendit nikoqir Rusisë. Kroatët shkuan për herë të tretë radhazi në vazhdime në gjysmëfinalen ndaj Anglisë, por kësaj radhe nuk iu deshën penalltitë pasi që i mposhtën “Tre Luanët” falë një goli të Mario Mandzukicit.

Sa i përket fazës eliminatore të Botërorit, nuk mund të mohohet se kroatëve u eci edhe pak fati, por siç thotë edhe një shprehje popullore “Trimave u prin fati”. 

Siç duket fati për kroatët shteroi në finalen ndaj Francës, ndoshta edhe për shkak të energjisë së shpenzuar në ndeshjet e kaluara, por ata arritën që të hynin në histori, duke luajtur për herë të parë në finale dhe njëkohësisht duke qenë edhe shteti i parë ballkanas që e bën një gjë të tillë.

Sidoqoftë, më shumë sesa rezultatet dhe paraqitjet në fushë Kroacia e mahniti botën me shpirtin e saj të madh luftarak të treguar në çdo ndeshje të luajtur.

E nëse ndonjëherë në botë flitet për Ballkanin e njerëzve u shkon mendja për sport, atëherë pa dyshim që meritat më të mëdha i takojnë Kroacisë, shtet i cili bëri krenar një gadishull të tërë.

Viti i Modricit

Një tjetër fakt i rëndësishëm për kthimin e vëmendjes së botës kah sporti ballkanas është edhe Luka Modric. Kapiteni i përfaqësueses kroate nuk kishte pasur një fëmijëri të lehtë për shkak të luftërave ballkanike në vitet e ’90-a të shekullit të kaluar. Kur ylli i Real Madridit ishte vetëm 6 vjeç jeta e tij u trondit kur gjyshi i tij i dashur ra në duart e militantëve serbë dhe u ekzekutua brutalisht, ndërsa ai u detyrua të jetonte si refugjat në atdheun e shkatërruar nga lufta. Por pavarësisht vështirësive të mëdha kjo nuk e ndaloi djaloshin ambicioz që të bëhej njëri nga lojtarët më të mirë të planetit.

Derisa në dekadën e fundit “Topi i Artë” shkoi pesë herë në Portugali te Cristiano Ronaldo e pesë herë të tjera në Argjentinë te Lionel Messi, këtë vit këtë gjë arriti ta thyejë Modric, i cili e solli trofeun prestigjioz individual në Kroaci. Përveç “Topit të Artë”, ish-mesfushori i Tottenhamit arriti të triumfojë edhe në garën për çmimin e FIFA-s “Lojtari më i Mirë i Vitit”. Kjo vetëm sa ia shtoi edhe më shumë hijeshinë sukseseve të Gadishullit Ballkanik, që tashmë njihet edhe për sport  dhe jo vetëm për luftëra. /ZERI