Ponte Prizreni, befasia e vitit në basketbollin kosovar

Sport December 26, 2018 - 10:31
Detajet
Image

Basketbolli kosovar ka përfunduar në “fund të pusit”. Klubet e mëdha janë në krizë të thellë, shkruan sot gazeta Zëri.

Peja nuk po merr fare pjesë në gara, ndërsa kriza i ka kapluar kampionin aktual të Kosovës Bashkimin dhe gjigantin tjetër Trepçën.

Nga ky rast kanë përfituar “klubet e vogla”. Pa dyshim, mrekullia e këtij edicioni në Superligën e basketbollit ishte Ponte Prizreni (ish-Kalaja).

Skuadra simpatike prizrenase i befasoi të gjithë me lojën që e bëri, duke e mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e gjashtë, ndërsa regjistroi 5 fitore.

Drejtuesit e klubit janë të kënaqur me të arriturat e skuadrës së trajnerit Arbnor Rifati në vitin kalendarik 2018.

“Pa dyshim se befasia më e këndshme e sezonit është klubi ynë i promovuar në Superligë, Ponte Prizreni. Një skuadër simpatike, që stinorin vjeshtor e përfundoi me 5 fitore e 8 humbje. 4-5 ndeshje i kemi humbur thuajse në sekondat e fundit, që tregon se skuadra ishte e barabartë me shumicën e klubeve që gjenden në pjesën e epërme të tabelës”, shkruan fillimisht në grupin e tij zyrtar në “Facebook” klubi buzë “Shatërvanit”.

Përforcohen dhe synojnë “Play-Off”-in

Rezultatet mbresëlënëse të vitit 2018 ua kanë shtuar apetitet prizrenasve, të cilët synojnë ta mbyllin këtë sezon lart në tabelë, ndërsa paralajmërojnë edhe përforcime.

“Qëllimi dhe motivi i skuadrës është të plasohemi në ‘Play-Off’, që do ishte e arritur kulminante e një debutuesi, si dhe arritja në ‘Final-Four’ të Kupës së Kosovës. Skuadra do të rikuperohet dhe do të plotësohet me dy lojtarë vendorë, kalime të cilat do bëhen në afatin kalimtar të janarit. Nga skuadra do të largohet Christian Bradford, i cili nga sot do jetë pjesë e klubit shkodran Vllaznia, ndërsa i huaji i radhës pritet një ‘bomber’ i vërtetë”, vazhdon klubi, i cili përmend edhe sukseset me ekipet e të rinjve, ndërsa falënderon edhe sponsorët që e përkrahën klubin këtë vit. /Zëri/