Kosova po përparon!

Sport December 25, 2018 - 12:39
Detajet
Image

Armend Thaqi dhe Liridon Leci mendojnë se Përfaqësuesja e Kosovës po shkon përpara me hapa të sigurt, ndërkohë që i kanë përgëzuar “Dardanët” për kampanjën fantastike në Ligën e Kombeve. Dy futbollistët kosovarë shprehen optimistë për mundësitë e Verdhekaltërve për ta siguruar kualifikimin historik në Evropian. Sipas tyre, edhe niveli i futbollit kosovar po shkon duke u rritur. Mbrojtësi i djathtë e synon titullin e kampionit me Prishtinën dhe shprehet i gatshëm për Përfaqësuesen, kurse mbrojtësi i majtë e kërkon Kupën e Kosovës me Dritën për të luajtur në Evropë

Armend Thaqi është njëri prej futbollistëve të paktë të Superligës viteve të fundit, sidomos pas pranimit në UEFA e FIFA që e ka shijuar Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti më i mirë që e ka futbolli kosovar në krahun e djathtë të mbrojtjes ishte ftuar nga “Dardanët” dhe e ndjeu aromën e fanellës së Përfaqësueses.

Mirëpo, kohëve të fundit në Ligën e Kombeve emri i tij mungoi në ekipin kombëtar.

Sidoqoftë, ai thotë se do të punojë sa të mundet në ekipin aktual, Prishtina dhe kur t’i arrijë ftesa përsëri, do ta mirëpresë.

“Për mua ka qenë kënaqësi dhe privilegj i veçantë të luaj për Përfaqësuesen. Nuk është aspak e lehtë për një lojtar të Superligës të depërtojë aty pasi konkurrenca është e fortë dhe në Përfaqësuese luajnë futbollistë që paraqiten në ligat evropiane”, theksoi fillimisht 26 vjeçari në emisionin “90 Plus” në “Radio Prishtina” dhe “Zëri TV”.

“Unë do ta bëj punën time me Prishtinën dhe nëse vjen ftesa përsëri, jam i gatshëm dhe në dispozicion të trajnerit”, vazhdoi ai.

Kosova, për çdo lëvdatë

Thaqi ndërkohë ka thënë se Përfaqësuesja e Kosovës është për çdo lëvdatë, duke u bazuar në përparimin e saj dhe paraqitjet bravuroze që i bëri në Ligën e Kombeve.

“Prej ardhjes së trajnerit Challandes, përfaqësuesja është për çdo lëvdatë. Të jetë në gjysmëfinale (të Ligës së Kombeve) dhe ta ketë mundësinë të kualifikohet në Evropian është një arritje e madhe”, tha tutje ai.

Thaqi së fundmi u përfshi në ekipin më të mirë të vitit në Kosovë dhe fakti se e gjeti emrin e tij për herë të tretë radhazi në këtë ekip ideal e bën të ndihet mirë dhe krenar pasi thotë se nuk është aspak e lehtë të ruhet vazhdimësia.

Mbrojtësi i djathtë ka folur edhe për kampionatin e Kosovës, duke u shprehur i kënaqur me pjesën e parë të sezonit.

Por, sipas tij Bardhekaltrit e kanë kryer vetëm gjysmën e punës dhe tash i pret një pranverë e nxehtë.

“Ne e kemi kryer 50 për qind të punës. E kemi Feronikelin afër dhe Llapi nuk është larg. Me dy humbje mund ta shohësh veten më poshtë në tabelë. Andaj, ne do të mundohemi të jemi të suksesshëm edhe në pranverë pasi Prishtina është duke e pritur titullin e kampionit qe gjashtë vjet. Gjithashtu, pas dy vjetësh në Europa League, duam të luajmë në Ligën e Kampionëve”, përfundoi Thaqi, i cili karrierën e kishte nisur tek KEK-u.

Favoritët e Lecit

Liridon Leci po ashtu ishte i ftuar në emisionin “90 Plus” dhe mbrojtësi i majtë i ka treguar favoritët për titull të kampionit këtë edicion, sigurisht duke e përjashtuar Dritën, e cila ka mbetur prapa.

“Feronikeli dhe Prishtina janë favoritët kryesorë për titull. Është edhe Llapi, por ai s’duhet të gabojë nëse dëshiron të mbetet në luftë për titull”, tha Leci.

Sipas tij, Drita do ta kërkojë daljen në Evropë, respektivisht Europa Leaguen përmes Kupës së Kosovës, ku është ende në garë.

Ai ndihet keq për rënien që e kishin gjilanasit në gjysmën e dytë të vitit, por thotë se lodhja e ka bërë të veten, por ndoshta edhe kënaqësia dhe komoditeti i tepruar i futbollistëve.

“Ne me trajnerin Shpëtim Duro i bëmë pesë fitore radhazi, por kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi edhe Prishtina e Feronikeli fitonin non-stop. Ne e synojmë Kupën për të dalë në Evropë. Sidoqoftë, e kishim një vit fantastik pasi e fituam titullin dhe Superkupën, ndërkohë që luajtëm mirë edhe në Evropë”, vijoi ish-futbollisti i Prishtinës dhe Kosovës së Prishtinës, i cili gjatë karrierës ka luajtur edhe në Shqipëri, Suedia e Danimarkë.

Leci po ashtu e ka përgëzuar Përfaqësuesen e Kosovës për ecurinë fantastike që e pati në Ligën e Kombeve, ndërkohë që mendon se “Dardanët” kanë mundësi më të mira ta sigurojnë kualifikimin në “Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve sesa nga eliminatoret.

Ajo që e kanë arritur deri tash Verdhekaltrit, sipas tij, është ëndërruar ndër breza.

Leci e ka shprehur zhgënjimin dhe dëshpërimin e tij në trajnerët e Superligës, për të cilët theksoi se nuk u treguan aspak korrektë në zgjedhjen ekipit më të mirë të vitit duke bërë favorizime, ndërkohë që futbollisti i Dritës, përkundër vitit fantastik që e pati mbeti jashtë ekipit ideal të vitit. /Zëri/