Njoftim tronditës nga Interi, e pezullon yllin e skuadrës nga të gjitha aktivitetet futbollistike

Sport December 23, 2018 - 15:17
Detajet

Përmes një deklarate të lëshuar për media, Interi ka konfirmuar se Radja Nainggolan është pezulluar nga çdo aktivitet futbollistik për arsye disiplinore.

“FC Internazionale Milano mund ta konfirmojë se Radja Nainggolan është pezulluar përkohësisht nga aktivitetet futbollistike për arsye disiplinore”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Interi për media, transmeton Gazeta Express.

Mediat italiane raportojnë se ai u vonua për në seancën stërvitore të klubit zikaltër sot në mëngjes.

Ky është një njoftim tronditës nga Interi sepse kjo do të thotë se ai do të mbetet jashtë skuadrës për ndeshjen kundër klubit në vendin e dytë në tabelën e Serisë A, kundër Napolit.

30-vjeçari ishte transferuar nga Roma gjatë afatit kalimtar të verës për 38 milionë euro plus Nicolo Zaniolon, por ai nuk ka arritur të ndikojë mjaftueshëm në skuadrën e Luciano Spallettit.

Kjo ka qenë një javë mjaft e pafat për Nainggolanin, pasi që gjatë javës ishte raportuar se atij i ishin vjedhur rreth 150 mijë euro nga grup banditësh, të cilët i kishin falsifikuar çeket e tij. Megjithatë, pas hetimeve ishte zbuluar se ai i kishte humbur ato para nëpër kazino në Montecarlo, në gusht.

Nainggolan ishte pezulluar për arsye disiplinore edhe nga Roma në janar pasi që e kishte festuar Natën e Vitit të Ri, duke e postuar një video në Instagram ku dëgjohej ai duke sharë dhe duke bërë komente ofenduese.