SPORTI NË PATERICA

Sport December 19, 2018 - 14:59
Detajet

Image

Image

Ketevan Venetsky e kishte paramenduar Kosovën si parajsë kur kishte marrë ofertë për t’iu bashkuar ekipit të Istogut. Hendbollistja nga Gjeorgjia kishte ardhur në klubin kosovar për ta zëvendësuar Fatlinda Fejzën, e lënduar rëndë. Por nuk vonoi shumë u lëndua edhe vetë gjeorgjiania duke përfunduar në paterica bashkë me Fatlindën. Ato nuk po kanë para për t’u operuar. Të holla për to nuk po ka as klubi, i cili mezi i ka gjetur paratë borxh për ta operuar një hendbolliste tjetër, Burneta Ramën. Kompanitë e sigurimeve në vendin tonë hezitojnë t’i sigurojnë sportistët dhe sportistet te të cilët nuk shohin interes, por rrezik humbjeje. Kjo situatë po i detyron djem të rinj dhe vajza të reja, që paguhen pak ose nuk marrin fare rroga nga klubet, të hyjnë privatisht në borxhe për t’u operuar. Shumë nga ta po e ndërprenë edhe karrierën. Krejt kjo e paraqet realitetin e errët të sportit kosovar edhe pas ndërkombëtarizimit.

Ketevan Venetsky kishte fluturuar nga gëzimi kur e kishte marrë një ofertë për të luajtur jashtë vendit të saj, shkruan sot gazeta Zëri.

Hendbollistja gjeorgjiane ishte kontaktuar nga skuadra kosovare, Istogu, për ta ndihmuar atë për ndeshjet ndërkombëtare të këtij sezoni.

Ajo ishte ftuar për ta zëvendësuar hendbollisten kosovare Fatlinda Fejza, e cila paraprakisht kishte pësuar lëndim të rëndë. Por ironia e fatit deshi që kjo “e zezë” ta përcillte edhe “Ketan”, siç e njohin të gjithë.

Në ndeshjen e së 16-s së finales së Challenge Cup ndaj ekipit italian Cassano Magnago, pak muaj më parë, Venetsky shpërtheu në lot nga dhimbjet e lëndimit të rëndë që e pësoi, me ç’rast kishte pësuar këputje të ligamentit të gjurit.

Nga parajsa, siç e kishte menduar hendbollin kosovar, gjithçka për të u bë ferr dhe terr. As që ia kishte idenë për atë se çfarë e priste më pas.

Në fakt, klubi i saj nuk kishte para për t’ia siguruar operimin dhe ky fakt e dëshpëroi shumë atë. “Keta” vazhdon të qëndrojë në Kosovë, e sakatuar, duke pritur...

Ajo shpreson që shpejt të gjendet zgjidhja në mënyrë që t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik, pasi çdo ditë që kalon do të thotë shkurtim i karrierës së saj.

Image

“Lëndimi është i rëndë dhe operimi është i nevojshëm për mua që të rikthehem dhe të luaj përsëri hendboll sa më shpejt që është e mundshme, kështu që do të bëj gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që të luaj përsëri. Nuk e di se si ose çfarë do të ndodhë me paratë, por unë besoj në trajnerin tim dhe e di se gjithçka do të jetë në rregull”, rrëfen për gazetën “Zëri” fillimisht hendbollistja gjeorgjiane, e cila momentalisht është duke u besuar fjalëve të klubit se do t’ia bëjë çarën disi.

Ajo ndihet e befasuar që në Kosovë nuk ka sigurime shëndetësore për sportistët pasi në vendlindjen e saj kjo çështje as që diskutohet.

“Nuk e di për sportistët kosovarë, por sigurimi shëndetësor është shumë i rëndësishëm. Unë jam nga një vend tjetër, nuk mund të jetoj këtu pa vizë, por jam e sigurt që unë e kam sigurimin shëndetësor që prej ditës së parë që kam ardhur këtu. Në Gjeorgji ne kemi sigurim shëndetësor dhe gjithashtu kemi qendra shëndetësore, kështu që më së largu çdo vit ne duhet të bëjmë kontrolle mjekësore, ata na kontrollojnë shëndetin tonë dhe gjendjen tonë fizike. Është e rëndësishme ta kontrollosh gjendjen fizike të sportistëve, nuk ka sport pa lëndime. Lëndimi është pjesë e sportit”, vazhdon Venetsky, e cila po qëndron në Kosovë nën mëshirën e fatit.

Image

As Fatlinda nuk ka para për t’u operuar!

“Keta” nuk është hendbollistja e vetme e Istogut që ka përfunduar në “barela”.

Klubin e Istogut e ka përcjellë fati i keq muajt e fundit pasi tri hendbolliste i kanë këputur ligamentet e gjurit dhe do të mungojnë nga së paku gjashtë muaj.

Para hendbollistes gjeorgjiane njëjtë e kishte pësuar edhe hendbollistja Fatlinda Fejzaj.

Ajo shpreson që klubi do t’i gjejë të hollat e nevojshme për t’ia siguruar operimin pasi vetë nuk është në gjendje t’i mbulojë shpenzimet, duke i pasur parasysh kushtet e vështira të hendbollisteve në vend, të cilat marrin rroga simbolike, por ka edhe prej tyre që nuk paguhen fare.

“Duke e pasur parasysh se si janë kushtet në Kosovë, duhet të përballemi edhe ne me këto pritje të gjata, me mjete jo shumë të mjaftueshme. Kjo është shumë dëshpëruese, pasi përpos që kemi vullnet të madh për të ushtruar, edhe pse nuk i kemi kushtet e duhura, tash na vijnë edhe këto lëndime që janë serioze, me të cilat duhet të merremi dhe kjo na humb vullnetin për të ushtruar dhe luajtur”, ankohet ajo.

“Ligamentin e kam të këputur dhe miniskusin po ashtu. Shpenzimet janë të mëdha. Duke e pasur parasysh se po jetojmë në Kosovë, ku rrogat nuk janë shumë të mëdha, është e vështirë ta paguajmë vetë shërimin”, shpjegon Fatlinda, e cila brengoset për shoqet e skuadrës pasi me lëndimin e saj dhe të dy bashkëlojtareve istogaset nuk do të kenë fond të mjaftueshëm të lojtareve për të luajtur në të tetën e finales së Challenge Cup ndaj Malagas në shkurt të vitit tjetër.

Klubi hyn në borxh për operimin e Burneta Ramës

Burneta Rama është njëra prej hendbollisteve më të mira në Kosovë. Ajo ishte ftuar për ta ndihmuar Istogun për ndeshje ndërkombëtare dhe fatkeqësisht u lëndua rëndë, njëjtë si dy shoqet e saj - Ketevan Venetsky dhe Fatlinda Fejzaj.

Vetëm e vetëm për ta shëruar Burnetën klubi e ka zgjedhur rrugën më të vështirë dhe rrezikimin.

Image

“Burneta Rama tashmë është operuar. Kemi hyrë borxh për Burnetën. Tash po presim për të gjetur mjete edhe për dy hendbollistet tjera”, tregon për “Zërin” trajneri i Istogut, Faruk Shala.

Burneta nga ana e saj ndihet e lumtur që klubi ia mundësoi shërimin, ndërsa e sheh të domosdoshme që klubet t’ua bëjnë sigurimin shëndetësor sportistëve të tyre. Ajo e ka kujtuar lëndimin paraprak kur kishte hequr shumë derisa e kishte siguruar fondin për t’u operuar.

“Do të ishte gjëja më e mirë për një sportist që ta ketë sigurimin shëndetësor, që të mos mendosh se nëse lëndohesh ku do t’i gjesh paratë, a do të të ndihmojë ndokush, a do të mund të kthehesh? Shumë mendime të sillen në kokë dhe për sportistin është shumë e vështirë”, thotë hendbollistja gjakovare.

Image

“Herën e parë kur jam lënduar ka qenë shumë vështirë, pasi nuk kam pasur përkrahje prej askujt. E falënderoj drejtorin e Departamentit të Sportit Ibër Alajn që më ka ndihmuar, edhe pse më është dashur të prisja shumë, afro katër muaj që të m’i kalonin paratë, por pasi është kryer ia ka vlejtur ndoshta pritja”, pohon ajo.

“Në Kosovë është e pamundur t’i mbulosh vetë shpenzimet e shërimit pasi klubet i kanë kushtet e vështira edhe pse mundohen shumë ta bëjnë më të mirën nga vetja. Por asnjëherë nuk ka qenë e mjaftueshme të sigurojnë para për shërim të hendbollisteve të lënduara, që ta kryejnë rehabilitimin ose operimin. Gjithmonë kanë qenë paga të vogla, por kjo ka qenë mundësia. Është shumë problem ta kryesh vetë operimin nëse varesh komplet prej sportit dhe nuk e ke një punë të dytë, nuk mundesh. Nëse e ke ndonjë punë tjetër do të ishte më e lehtë. Veç me sport është shumë e vështirë”, përfundoi Rama.

Shala: S’i kemi 8 mijë euro për t’i operuar hendbollistet

Istogu është duke e hequr të zinjtë e ullirit.

Sikur të mos mjaftonte mungesa e palestrës sportive dhe problemet që po ia shkakton kundërshtari i ardhshëm në Challenge Cup, Malaga, e cila vjen nga Spanja, një vend që nuk e njeh Kosovën si shtet, tash klubi ka rënë në hall se ku t’i marrë paratë për t’i shëruar hendbollistet kryesore të lënduara.

Trajneri Faruk Shala është duke kërkuar derë më derë para për operimin e hendbollisteve pasi e ndien për obligim dhe përgjegjësi ta kryejë këtë punë.

“Shpenzimet për operime janë shumë të shtrenjta. Jam duke e bërë një kërkesë në Departament të Sportit, po shpresojmë se do të na ndihmojnë, kemi probleme. Komplet shpenzimet e kapin shumën e 8 mijë eurove për këto tri lojtaret tona që duhet të operohen. Ato e kanë lëndimin ekzakt të njëjtë, vuajnë prej këputjes së ligamentit”, kujton Shala, i cili teksa flet duket në hall të madh.

“Klubi nuk i ka këto para. Është shqetësuese për një klub si ne, që po arrijmë suksese në rrafshin vendor dhe në atë ndërkombëtar. Tash e kemi edhe fondin e lojtareve të varfra në prag të ndeshjes së vështirë kundër Malagas. Ndërkohë jemi në përpjekje për t’i gjetur paratë e shpenzimeve të rehabilitimit të këtyre tri vajzave të reja, dy prej tyre janë reprezentuese të Kosovës, e njëra shtetase e huaja dhe është shumë e vështirë për ne t’i mbulojmë të gjitha këto shpenzime. Vetëm operimet kushtojnë diku 8 mijë euro, plus ajo faza rehabilituese, fizikale që duhet të paguhet”, theksoi ndër të tjera Shala, i cili shton se klubi publikisht e ka kërkuar edhe përkrahjen nga sponsorët që i ka për ta ndihmuar në këtë drejtim, sipas mundësive.

Por ai ka kërkuar ndihmë zyrtarisht edhe nga institucionet shtetërore, pasi ditë më parë kishte takim edhe me kryeministrin Ramush Haradinajn, pastaj nga Ministria e Shëndetësisë, Departamenti i Sportit në Ministrinë e Sportit dhe nga Komuna e Istogut.

Djem të rinj dhe vajza të reja hyjnë në borxh për t’u operuar, shumë nga ta po e ndërprenë karrierën

Rastet e lëndimeve të sportistëve, veçmas sportisteve shumë të anashkaluara, nuk janë të pakta.

Blerina Haxha nuk e kishte gjetur mbështetjen e askujt kur ishte lënduar duke luajtur në hendbollin kosovar. Atë e kishte anashkaluar tërësisht klubi i saj Kastrioti, ndërsa ishte detyruar të merrte para borxh për ta bërë operimin e gjurit.

Image

“Zëri” kishte shkruar për këtë rast, ndërsa hendbollistja mitrovicase ishte detyruar ta linte përfundimisht hendbollin pas këtij lëndimi të rëndë, e zhgënjyer me tretmanin që e “gëzojnë” hendbollistet nga klubet respektive.

Edhe hendbollistja Kaltrina Beka ishte dashur t’i nxirrte paratë nga xhepi i saj për operimin që i kishte kushtuar 2.000 euro, prej të cilave vetëm 300 euro ia kishte siguruar klubi i saj i atëhershëm, Kastrioti.

Agnesa Canolli ishte “viktima” tjetër e lëndimeve të rënda, e cila ishte lënë në “lloç” nga klubi i saj i asaj kohe, Prishtina, ndërsa fatmirësisht e kishte gjetur mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ia kishte hequr më shumë se gjysmën e shpenzimeve.

Në vitin 2016 çiklisti Qëndrim Guri kishte pësuar aksident në Rio de Janeiro ku ishte pjesë e ekipit të Kosovës në Lojëra Olimpike.

Ai i kishte thyer dhëmbët dhe “Zëri” kishte raportuar se ferizajasi ishte dashur t’i paguante dhëmbët e rinj vetë, derisa kishte treguar se për këtë kishte marrë borxh nga një i afërm i tij.

Fatkeqësisht, çiklisti më i mirë që e kishte Kosova sot e bën punën e punëtorit të krahut.

E pak muaj më parë kishte ndodhur një tjetër rast thuajse tragjik.

Volejbollisti Shkëlqim Ismajli, në ndeshjen ndërmjet Prishtina Volley dhe Vushtrria, e kishte pësuar një tronditje në kokë dhe kishte përfunduar pa ndjenja në parket.

Në mungesë të stafit mjekësor shokët e skuadrës së tij e kishin bërë mjekun dhe më pas e kanë dërguar në Emergjencë me veturë private.

Në të kaluarën ka ndodhur edhe në futboll që, në mungesë të autoambulancës, futbollisti është dërguar në spital me veturë private që është futur në fushën e blertë pas thyerjes së këmbës!

Në vitet e pasluftës ka pasur edhe raste tjera të sportistëve nga sporte të ndryshme, të cilët janë detyruar t’i gjenin vetë paratë për operim dhe për rehabilitim.

Kompanitë e sigurimeve nuk kanë interes për t’i siguruar sportistët

I pari që e kishte ngritur zërin rreth këtij problemi ishte presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

Më moti ai e kishte shprehur shqetësimin rreth injorimit që ua bëjnë sportistëve kompanitë e sigurimeve, për shkak se këto nuk janë të interesuara të paguajnë mijëra euro për shërimin e sportistëve, lëndimet e të cilëve nuk janë të rralla.

“Kompanitë e sigurimeve po hezitojnë t’i marrin në dorë klubet dhe sportistët, nuk janë fort të interesuara për një marrëveshje me klubet, për arsye se dihet që lojtarët kanë lëndime më të shpeshta. Mirëpo kompanitë duhet të kenë konsideratë, të mos e shohin vetëm interesin financiar, por të jenë të gatshme të kontribuojnë për sportin”, ka thënë Ejupi.

Shoqata e Sigurimeve: Do të mundohemi të bëjmë diçka për sportistët

Ankesat për hezitimin e kompanive të sigurimeve për t’i marrë në dorë sportistët janë të vazhdueshme.

Dhe gazeta “Zëri” e ka kontaktuar direkt Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, e cila i ka në mbikëqyrje këto kompani.

Kjo Shoqatë është e vetëdijshme se momentalisht nuk ka marrëveshje të tilla, por zotohet se shpejt do të dalë me një qëndrim dhe insiston se do të punojë që të nxirret dizajnimi i një produkti, i cili do t’i fuste sportistët nën ombrellën e sigurimit.

“Theksojmë se tashmë jeni në dijeni se rreziqet e larta ndaj të cilave ekspozohen profesionistët e sportit dhe lëndimet serioze të cilat ata mund t’i pësojnë nga aksidentet e ndryshme. Trajtimi i kësaj teme mendoj se është i kohës dhe industria e sigurimeve duhet t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave të Federatës së Hendbollit, si dhe federatave të sporteve të tjera që ushtrohen në Kosovë. Te këto lloje të sigurimeve rrezikshmëria është e lartë, duke i marrë parasysh edhe humbjet e shëndetit të cilat mund t’i pësojnë sportistët drejtpërdrejt, por edhe klubet për të cilat ata luajnë për shkak të humbjes së aftësisë së tyre për punë”, thotë Venhar Hana, shef i Zyrës Ligjore dhe i Administratës.

“Sigurisht, industria e sigurimeve si tërësi është e interesuar ta ofrojë një produkt të sigurimit të sportistëve në Kosovë. Për ta mundësuar këtë kërkohet edhe diskutim i brendshëm i industrisë ashtu që të dizajnohet një produkt i përshtatshëm në mbulim të kërkesave specifike për sportistët profesionistë në Kosovë. Andaj Shoqata e Sigurimeve të Kosovës shpejt do të dalë edhe me një qëndrim për zgjidhje adekuate të çështjes së parashtruar”, vazhdoi zyrtari i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.   

Disa palë thonë se kanë bërë shumë për sportistët e të tjera zotohen se po punojnë që ta zgjidhin këtë problem të kamotshëm.

Mirëpo momentalisht gjendja e sportistëve në vend është e mjerueshme. Dhjetëra prej tyre janë në pritje prej muajsh ose vitesh të rendit për t’u operuar e të tjerët i ngrenë duart lart duke e lutur Zotin të mos lëndohen…

Aktivizohet deputeti Haxhiu, propozon zgjidhje

Bekim Haxhiu është deputeti i cili e ka ngritur më së shumti zërin për të drejtat e sportit dhe të sportistëve ndër vite në Parlamentin e Kosovës.

Ish-nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili me profesion është mjek, po e përcjell me shqetësim gjendjen e sportistëve.

Ai tregon raste të dhimbshme kur sportistëve u është dashur të presin me vite për t’u operuar.

Krejt kjo e ka një fajtor.

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore për tërë popullatën, por edhe për sportistët  paraqet një problem të madh, i cili ndikon drejtpërdrejt në karrierën e tyre sportive. Sportistët pas lëndimeve të rënda ku kërkohet ndërhyrje kirurgjike nuk kanë trajtim të veçantë: ata futen në lista të gjata të pritjes së pacientëve për operim e që në shumicën e rasteve kjo listë e pritjes është më shumë se dy vjet”, tregon ai.

“Që sportistët të trajtohen me prioritet është e domosdoshme një marrëveshje mes Komitetit Olimpik, Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së që regjistri për të gjithë sportistët të jetë i veçantë, që ata të mos futen në listat e gjata të pritjes për operim”, shton Haxhiu.

Deputeti zbulon për “Zërin” se për ta zgjidhur këtë problem ka biseduar me drejtorin e Ortopedisë dhe atë të SHSKUK-së që të bëhet një listë e veçantë për sportistët e lënduar dhe ata të trajtohen me prioritet me qëllim të shërimit më të shpejtë të tyre që të mos e humbin karrierën e tyre sportive për shkak të lëndimeve.

Ai ka kërkuar po ashtu që sportistët të trajtohen me prioritet edhe në fazën e rehabilitimit pas operimit deri në riaftësim për gara sportive.

Që sportistët të trajtohen me prioritet, vlerëson ai, është e domosdoshme një marrëveshje mes Komitetit Olimpik të Kosovës, Ministrisë së Shëndetësie dhe SHSKUK-së që regjistri për të gjithë sportistë të jetë i veçantë, që ata të mos futen në listat e gjata të pritjes për operim.

Haxhiu gjithashtu shpjegon se kontrollet sistematike mjekësore janë të obliguara sipas Ligjit për Sport dhe Ligjit për Shëndetësi, por që nuk ka asnjë udhëzim administrativ të nxjerrë nga Ministra e Sportit dhe e Shëndetësisë për ta trajtuar këtë problem me prioritet.

Për shkak të gjendjes financiare të shumicës së klubeve sportive dhe gjendjes ekonomike të shumicës së sportistëve, që si rezultat e bën të vështirë mbulimin e sigurimeve shëndetësore nga klubet ose nga vetë sportistët, Haxhiu e sheh të domosdoshme që të ketë sigurime shëndetësore të zbatueshme sipas Ligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe kjo sipas tij do të ishte zgjidhje për të gjithë sportistët.

Federatat s’kanë çka të bëjnë!

Federata e Hendbollit e Kosovës po mundohet t’u dalë në krah hendbollistëve dhe hendbollisteve që lëndohen.

Por sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, thotë se FHK-ja është në të njëjtën pozitë me klubet.

Sipas tij, fatkeqësisht kompanitë e sigurimeve nuk i sigurojnë sportistët nga lëndimet dhe se problemi kryesor qëndron pikërisht në këtë pikë.

“Ne si Federatë deri më tani në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit u kemi ndihmuar klubeve që t’i kryejnë operimet në spitalin shtetëror, mirëpo jo të gjitha, sepse ka shumë raste. Klubet tona momentalisht e kanë të vështirë t’i bëjnë sigurimet, por edhe nëse ndonjëra prej tyre e bën, kompanitë e sigurimeve nuk i realizojnë ato në momentin që e kuptojnë se kanë të bëjnë me sportistë. Ndoshta është dashur që Ministria përkatëse t’i obligojë kompanitë e sigurimeve që patjetër t’ua bëjnë sigurimin sportistëve, sepse në të kundërtën shumë sportistë do të mbeten invalidë dhe jashtë terreneve sportive”, shprehet Gjinovci. Të pafuqishme rezultojnë edhe federatat tjera sportive.

KOK-u, i shqetësuar

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka marrë me shqetësim lajmin për lëndimin e rëndë të hendbollisteve të Istogut.

Kreu i sportit kosovar, Besim Hasani, e ka pritur trajnerin e istogaseve Faruk Shalën, i cili ia ka shprehur këtë shqetësim në sy.

Tash KOK-u zotohet se po mundohet ta gjejë një rrugëdalje për sportistet e lënduara.

“Normalisht, KOK-u ndan shqetësimin e njëjtë me drejtuesit e klubit Istogu dhe shpreh gatishmërinë që ta shqyrtojë mundësinë që së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, ministrinë përkatëse për sport, Komunën e Istogut dhe drejtuesit e klubit, ta gjejë një zgjidhje kreative. Kjo çështje do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e radhës së Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, pavarësisht faktit se KOK-u nuk ka politika të tilla, por ka vullnet për të ndihmuar”, deklaroi Hasani për gazetën.

Vitin e kaluar KOK-u i kishte ndarë 4 mijë euro për rehabilitimin e xhudistes Majlinda Kelmendi në Slloveni dhe 3 mijë euro të tjera për shërimin e karateistit Alvin Karaqi, të cilët konsiderohen si sportistë elitarë.

Image

Ministria e Sportit bën thirrje të sigurohen sportistët

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit e Kosovës, respektivisht Departamenti i Sportit e ndan shqetësimin e federatave dhe të klubeve për sportistët, të cilët hyjnë në fushë ose në parket me frikën se mund të lëndohen e më pas të rrezikojnë ta humbin komplet karrierën pasi pritjet për t’u operuar janë të stërzgjatura.

“Duke e parë që sigurimet shëndetësore në Kosovë nuk i mbulojnë dëmet e sportistëve të bazuar në kërkesën e sportistëve, i kemi disa raste kur edhe Majlinda Kelmendi dhe sportistët tjerë janë mbështetur nga MKRS-ja për të pasur shërim nga lëndimet në ndeshje zyrtare. Duke u bazuar në programe, i kemi mbështetur këta sportistë të gjejnë shërim, i kemi rekomanduar qoftë në QKUK dhe po ashtu në Ministri të Shëndetësisë. Por kjo është një çështje që na preokupon të gjithëve pasi lëndimet në sport e kanë një kosto financiare dhe sigurimet shëndetësore që duhet t’i kenë sportistët nuk mbulohen nga kompanitë e sigurimeve në Kosovë”, tha për “Zërin” drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS-së, Ibër Alaj.

“Kompanitë që operojnë për sigurime, kur bëhet fjalë për sportistë, hezitojnë për shkak të shpenzimeve dhe kostove. Edhe në udhëtime jashtë vendit kemi problem pasi organizatori kërkon që përgjegjësinë dhe të gjitha shpenzimet t’i bartë skuadra mysafire. Edhe këto sfida janë ato të cilat ballafaqohemi. E kemi ngritur këtë si çështje edhe në Ministri të Shëndetësisë, te Policat e Sigurimeve, por edhe në nivel të Qeverisë, pasi kompanitë që operojnë nuk e kanë si produkt sigurimin për sportistë”, shton ai.

Alaj zbulon se drejtuesit e Istogut kanë trokitur në dyert e zyrës së tij duke kërkuar ndihmë, ndërsa ai premton se kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe se do të shikohet mundësia për të bërë diçka në këtë drejtim në fillim të vitit 2019 pasi buxheti për vitin 2018 në Departament të Sportit ka përfunduar.

Ministria e Shëndetësisë: Kemi shëruar sportistë sa kemi mundur

Ministria e Shëndetësisë zotohet se përmes programit “TJV” i ka ndihmuar sportistët kulmorë, por edhe talentët e rinj, duke u ofruar trajtime mjekësore jashtë vendit për ato shërbime që nuk kanë mundur të merren në Kosovë.

“Ndërkohë, përmes institucioneve publike shëndetësore u është ofruar përkrahje dhe ndihmë profesionale mjekësore një numri të madh të sportistëve, kryesisht trajtim dhe rehabilitim pas lëndimeve të ndryshme në terrene sportive. Gjithashtu, në kuadër të sistemit publik shëndetësor ekziston edhe Mjekësia Sportive që ka ofruar ekzaminime e trajtime të ndryshme, derisa është në proces ndërtimi i qendrës së re i mjekësisë sportive në mjediset e SHSKUK-së. Sipas të dhënave, qendra e mjekësisë sportive ka ofruar vetëm për periudhën janar - shtator 2018 shërbime mjekësore për 18.000 sportistë”, njofton zyra për komunikim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Zëri” merr vesh se kjo qendër e mjekësisë sportive gjithashtu ka kryer 3 mijë e 313 vizita specialistike dhe 971 terapi fizikale gjatë kësaj kohe. /Zëri/