UEFA fillon hetimet ndaj Chelseat

Sport December 18, 2018 - 16:53
Detajet

Trupi qeverisës i futbollit në Evropë, UEFA, i ka filluar hetimet ndaj Chelseat, pasi që dyshohet se tifozët e klubit anglez kishin qenë pjesë e një incidenti racist në Hungari gjatë një ndeshje të javës së kaluar.

Chelsea tanimë e ka dënuar këtë incident dhe është shprehur kundër tifozëve që kishin marrë pjesë në të. Tifozët e Chelseat akuzohen se kishin kënduar kore raciste gjatë ndeshjes të së enjtes të Evropa Ligës në Vidi, transmeton Gazeta Express.

Një grup i vogël i tifozëve të klubit londinez këndoi disa vargje diskriminuese për rivalët e tyre të Premierligës, Tottenham, i cili ka një grup të madh të tifozëve çifutë. Kjo gjë ndodhi gjatë ndeshjes në Budapest, raportojnë mediat britanike.

Kjo është hera e dytë që një akuzë e tillë ngrihet ndaj tifozëve të Chelseat. UEFA pret që rezultatet e hetimeve të publikohen në mes të janarit.

Edhe klubi anglez edhe Policia Angleze i kishte filluar hetimet për një incident tjetër të ngjashëm, kur Raheem Sterlingu tha se ishte abuzuar në baza racore nga tifozët në Stamford Bridge gjatë ndeshjes së para dy xhirove.