Kreu i FFK-së, Agim Ademi u takua me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kjo ishte marrëveshja që u arrit!

Sport December 17, 2018 - 14:17
Detajet

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur sot në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe zëvendëssekretari, Arianit Ahmeti si dhe këshilltari i kryetarit Ahmeti, Adonis Tahiri. Gjatë këtij takimi u diskutuan disa çështje të rëndësishme.

Fillimisht u bisedua rreth menaxhimit të stadiumit “Fadil Vokrri” ku edhe u arrit marrëveshja që me këtë stadium veçmas gjatë ciklit kualifikues për Euro 2020 të menaxhojë FFK-ja në bashkëpunim me komunën.

Ndërkohë, këtë marrëveshje e ka miratuar edhe ministri i sportit, Kujtim Gashi, i cili është takuar më pas me presidentin Ademi dhe kryetarin Ahmeti.

Si temë e dytë e diskutimit me kryetarin Ahmeti ka qenë ndërtimi i dy fushave me bari sintetik në kryeqytet, të cilat do ta ndihmonin shumë zhvillimin e futbollit, me ç’rast presidenti Ademi ka kërkuar që komuna urgjentisht ta gjejë tokën ku do të ndërtohen këto dy fusha dhe në momentin që ajo i kryen procedurat e dhënies së tokës në shfrytëzim, atëherë FFK-ja menjëherë do të jetë  e gatshme ta fillojë punën në realizimin e tyre.

Po ashtu temë diskutimi ishte edhe dhënia e lejes për realizimin e projektit të ri të selisë së FFK-së, ku sipas të gjitha gjasave pas paraqitjes së projektit do të jepet drita e gjelbër dhe do të fillohet puna edhe në jetësimin e këtij projekti, që padyshim është tejet i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejm të FFK-së.