Çka po ndodh me Milot Rashicën?

Sport December 17, 2018 - 12:14
Detajet

Milot Rashica luajti ndaj Borussia Dortmundit (1:2) në ndeshjen e tij të dytë radhazi nga fillimi, shkruan sot gazeta Zëri.

Ai kishte luajtur nga minuta e parë edhe në fitoren 3:1 ndaj Fortuna Dusseldorfit në ndeshjen paraprake.

Futbollisti kosovar ka shfaqur performanca të mira dhe po bind me kualitetet e tij.

Vushtrriasi duket se i ka lënë prapa krahëve momentet e vështira të fillimsezonit. Ai i ka kujtuar ato kohëra.

“Nuk ishte e lehtë, por futbolli është kështu. Ka periudha të mira dhe të këqija. Ju gjithmonë duhet ta jepni më të mirën. Unë kam mësuar shumë nga kjo situatë”, është shprehur fillimisht përfaqësuesi kosovar për “meinwerder.de”.

I tërë stafi teknik e ka ndihmuar lojtarin të zhvillohet dhe të përmirësohet. Për këtë ish-futbollisti i Kosovës së Vushtrrisë është mirënjohës.

“Duke përdorur video ata ma kanë shpjeguar se çka mundem dhe se çka duhet të bëj më mirë”, shton 22-vjeçari.

Pika kyçe: puna në mbrojtje. “E kam parë se mund të bëj më shumë pa top”, shton Rashica, të cilit i ishte dashur të mësohej dhe të ambientohej me stilin e futbollit në Bundesliga.

“Unë erdha nga një ligë tjetër, nga Holanda, ku futbolli luhej ndryshe”, nënvizoi mesfushori i krahut të djathtë, i cili në janar kishte arritur në Werder Bremen nga skuadra e divizionit të parë holandez, Vitesse Arnheim.

“Tash kam më shumë besim dhe e di se çka do, çka kërkon trajneri dhe si luajnë bashkëlojtarët. Kështu që tash mund të shkoj përpara”, shprehet Rashica.

Një domethënie të madhe për zhvillimin dhe rikthimin e futbollistit kosovar kishte goli i shënuar ndaj Nurnbergut në xhiron e tretë.

Pas ndeshjes trajneri Florian Kohfeldt e kishte ftuar në darkë dhe kishin biseduar gjerë e gjatë se çka duhet të bënte dhe të ndryshonte futbollisti kosovar për të dhënë kontribut më të madh për Werderin.

“Ishte një bisedë mjaft e këndshme. Kemi biseduar për sjelljen time në mbrojtje dhe në sulm. Florian Kohfeldt është një person i rëndësishëm për mua”, përfundoi Rashica, i cili ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme edhe me Përfaqësuesen e Kosovës në Ligën e Kombeve. /Zëri/