E pranon Mourinho: Salah është një kërcënim bërthamor për Unitedin

Sport December 16, 2018 - 14:03
Detajet

Mohamed Salah përbën kërcënim bërthamor për Manchester Unitedin në derbin e Premierligës ndaj Liverpoolit të dielën pasdite, sipas trajnerit Jose Mourinho.

Salah luajti nën urdhrat e Jose Mourinhos në Chelsea, por periudha e tij e parë në Premierligë nuk ishte e suksesshme dhe ish-ylli i Baselit kaloi në Serie A, transmeton Gazeta Express.

Ai u kthye në Premierligë sezonin e kaluar, duke iu bashkuar Liverpoolit për 42 milionë euro pas kohës së kaluar në Fiorentinë dhe Romë. Mourinho e pranon tani se egjiptiani ka përparuar shumë që prej kohës kur ai e stërviste.

“Ai është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në çdo nivel”, tha Mourinho para ndeshjes mes Manchester Unitedit të tij dhe Liverpoolit, liderit të Premierligës që lë prapa 16 pikë “Djajtë e kuq”.

“Fizikisht, ai është zhvilluar tejet shumë. Ai ishte djalosh i shpejtë por brishtë, tani është burrë i shpejtë dhe shumë i fortë”, tha Mourinho.

“Mbaj mend kur e futa në lojë në ‘White Hart Lane’ dhe në ‘Etihad’ dhe ishte e tepërt për të. Tani, ai luan çdokund dhe kundër çdo skuadre. Ai mund të shkojë në Barcelonë dhe Real Madrid dhe luan si ‘hej, unë jam Mo-Mo Slah dhe nuk ia kam frikën askujt”, shtoi ai.