Anton Cena shpallet ‘Mjeshtër i Merituar’ nga Presidenti i Kosovës

Sport December 14, 2018 - 16:30
Detajet

Anton Cena është nderuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me çmimin “Mjeshtër i Merituar”.

Veterani i xhudos është shpërblyer nga shteti për punë të shquar dhe kontribut të jashtëzakonshëm jetësor në zhvillimin e sportit në Policinë e Kosovës, raporton “Zëri”.

Ky është njoftimi i Anton Cenës:

Të vlerësohem nga niveli më i lartë , pikërisht atje ku nis fjala e parë e shtetit dhe përfundon e fundit , për mua është më shumë nder sesa nxitje për të ecur tutje! Motivimi nuk më ka munguar kurrë që të bëj për Kosovën gjithçka që më lejon mundësia e pa kursyer asnjëherë asgjë. Edhe kur kam qenë përpara rrugëve të pamundura, me ngulm e kam gjetur një shteg tjetër , vetëm që synimet e mia t'i bëj realitet në dobi të këtij vendi. Ishte lufta ajo që më bëri t'i lë gruan dhe fëmijët e vegjël në Belgjikë, dhe të vij në Kosovë, të marr pushkën e të radhitem në krah të vëllezërve të mi shqiptarë . Krenar dhe i palëkundur , me padurim erdha në Kosovë , të kishte edhe një ushtar lirie më tepër , edhe një pushkë flijimi më shumë... Atëherë Kosovës iu shterrën të gjitha mundësitë e dialogut me armikun , andaj ishte doemos akti i fundit i largimit të okupatorit , mbrojtje në tokat tona, dhe jo sulm asnjëherë , sepse ne nuk kishim ku të shkonim , mbronim vetëm pragun e shtëpisë sonë Kosovës , për të cilën u derdh gjak e lotë me qindra vjet ! Dhe lufta përfundoi , unë ende nuk e ndjeja veten të plotësuar në kryerjen e misionit tim ! Më dukej e dhimbshme të kthehem atje nga erdha dhe të mos kontribuoj tash edhe në liri . Vendosa të rrij këtu , të ofroj në shërbim të gjeneratave të reja , të gjitha njohuritë e mia profesionale , shkollore e fizike. Familja ime nuk hezitoi aspak dhe me të marrë unë këtë vendim, ata erdhën tek unë, të jetonim në Prishtinë. Pa u kursyer as ata, secili në mënyrën e vetë, po vazhdojmë edhe sot të jemi kontribues dhe vullnetmirë të realizimit të akteve edukative në Kosovë, ndoshta të vogla për nga volumi por të mëdha për nga pesha ! Para 18 vjetësh fillova punën në Akademinë Policore , aty ku po vazhdoj edhe tash të punoj që të përcjell aftësitë e mia tek policia jonë, gjithmonë me qëllimin e krijimit të kuadrove profesionale të nivelit ndërkombëtar ! Aktivitetet e mia nuk kanë munguar edhe në lëminë sportive, duke arritur të jem përfaqësues i Kosovës dhe Shqipërisë, me rezultate superiore : Përfaqësues i Shqipërisë, Tre herë Kampion Evrope dhe Nënkampion Bote si dhe për Kosovë ,të gjithë titujt për Polici dhe Civilë. Edhe po të kthehesha sërish nga fillimi , me krenari do të përsërisja itinerarin tim të gjatë për një Kosovë të njohur ndërkombëtarisht, ngase sakrifica e pandalshme është cikërrimë krahas krenarisë që kam për veprat e mia, dedikuar vetëm Kosovës dhe asnjëherë unit tim ! Pafund faleminderit familjes sime që gjithmonë kanë bërë më të mirën për të më ndihmuar , Kolegëve , miqëve e shokëve u jam mirënjohës për përkrahjen e parezervë në çdo kohë ! Udhëheqësve nga Policia një falënderim të veçantë për ndihmën dhe përkrahjen që më kanë dhënë në çdo hap timin ! Faleminderit me përulësi , Shkëlqesisë së tij , Presidentit të Republikës së Kosovës , z. Hashim THAQI , që sot më ka nderuar me këtë dekoratë ! Kjo është medalja e parë e ketij lloji që është dhuruar në Kosovë! Unë do të jem i Kosovës derisa të vdes dhe çdo vepër e mia i shkon në bagazh shtetit .

Image

Image

Image