Jetë nate dhe pije, mbrojtësi i Kombëtares 'çmend' Dinamon e Bukureshtit

Jetë nate dhe pije, mbrojtësi i Kombëtares 'çmend' Dinamon e Bukureshtit

Sport dhjetor 14, 2018 - 15:45
Detajet

Në Rumani ishte transferimi i parë i trajnerit të Dinamos së Bukureshtit, Mirçea Redniç, mirëpo Naser Aliji duket shumë larg me klubin rumun, transmeton Panorama Sport. 

Në klubin e Dinamos së Bukureshtit, drejtuesit dhe vetë trajneri i ekipit po humbasin durimin me mbrojtësin kuqezi dhe janë të shqetësuar nga veprimet e tij të fundit.

Naser Aliji po kalon një situatë dëmtimi dhe për këtë është larguar nga Rumania drejt familjes së tij në Zvicër për të kryer edhe terapinë rikuperuese. Mirëpo, gjatë ditëve të fundit, në Rumani kanë bërë më shumë sesa përshtypje lëvizjet e shqiptarit me miqtë.

Naser Aliji është parë në rrjetet sociale me foto të postuara nga jeta e natës dhe daljet me miqtë. Diçka e tillë është përcjellë me shqetësim nga drejtuesit e Dinamos së Bukureshtit që sipas mediave kryesore në Rumani kanë shprehur shqetësimin nëse “shqiptari është larguar në Zvicër për t’u rikuperuar, apo po shfrytëzon daljet si shkas që të prishet kontrata me Dinamon dhe të jetë i lirë në merkaton e janarit”.

PRAPASKENA – Më tej, mediat në Rumani kanë zbuluar prapaskenën me pagesën. Aliji ka pranuar në fillim pagesën e ulët nga Dinamo me kushtin e vendosur nga klubi që ajo do të rritej ndjeshëm në rast se klubi rumun do të siguronte “play-off”-in për pjesën e sipërme të tabelës që në fund lufton për kampionat dhe zonën e Europës dhe jo për rënien.

Me sa duket, shqiptari ka ndërruar mendim dhe kërkon më shumë, ndaj mund të shfrytëzojë dëmtimin si pretekst për të shkëputur marrëdhënien kontraktuale dhe në janar të jetë në kërkim të një tjetër mundësie më të mirë.