Tash fillon pjesa e bukur e Championsit

Sport December 14, 2018 - 13:23
Detajet

Cristiano Ronaldo ndihet i lumtur që Juventusi do të luajë në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve përkundër humbjes në mesjavë nga Young Boysi. Ylli portugez thotë se tash fillon pjesa më e bukur e Championsit. Ai beson në kapacitetin e ekipit dhe të tij dhe pret një sezon të suksesshëm, në ndjekje të trofeut të katërt radhazi personal të kompeticionit më të rëndësishëm evropian të futbollit, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Cristiano Ronaldo thotë se tash fillon “pjesa e bukur” e Ligës së Kampionëve ndërsa shprehet optimist se Juventusi do të jetë i gatshëm për të tetën e finales përkundër humbjes shokuese nga Young Boys në mesjavë, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.

Kampioni italian u mposht 1:2 nga skuadra zvicerane, por që kualifikimin për fazën tjetër e kishte siguruar më parë nga Grupi H përpara Manchester Unitedit.

Pasi i pushoi disa lojtarë, Juve u mposht nga dygolëshi i Guillaume Hoarau për humbjen e parë të sezonit.

Sidoqoftë, Ronaldo, i cili e ka fituar Championsin në tri edicionet e fundit radhazi para se të largohej nga Real Madridi, ndihet optimist se ky sezon do të jetë i suksesshëm për “Bianconeri”.

“Tash fillon pjesa e bukur e Champions League dhe besoj se do të jemi të gatshëm plotësisht për këtë”, u shpreh para gazetarëve 33 vjeçari, i cili e qëlloi shtyllën ndaj Young Boys.

“Unë jam i qetë sepse e njoh kapacitetin e këtij ekipi, por edhe potencialin tim. Kam mundur t’i shënoja disa gola lehtësisht, por ky është futbolli. Ne vetëm duhet të fillojmë të fokusohemi për ndeshjen e ardhshme”, nënvizoi fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë.

Penalltia e shndërruar në gol në minutën e 30-të nga Hoarau e kaloi Young Boysin në epërsi në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Bern, ku ish-përfaqësuesi
francez e dyfishoi epërsinë e ekipit të tij 22 minuta pa përfunduar ndeshja.

Paulo Dybala e ngushtoi rezultatin në minutën e 80-të falë ndihmës që e mori nga Ronaldo, por Juve ishte e paaftë ta gjente mënyrën për ta barazuar rezultatin.

“Ne e dinim se na priste një ndeshje e vështirë këtu”, është shprehur mesfushori i italianëve, Emre Can.

“Ne kishim raste në pjesën e parë dhe nuk i konkretizuam. Mendoj se ky do të jetë mësimi më i mirë për ne. Pasi shënuan ata, e dinim se do të ishte e vështirë të riktheheshim. Mirëpo, jemi të lumtur që kemi shkuar përpara si fitues të grupit, kjo ishte ajo që donim ta arrinim. Le të shohim se kush do të jetë kundërshtari i ardhshëm”, vazhdoi ish-futbollisti i Liverpoolit./Zëri