Dy skitare do ta përfaqësojnë Kosovën në 'EYOF Sarajeva 2019'

Sport December 13, 2018 - 16:09

Ekipi Olimpik i Kosovës do të marrë pjesë për herë të dytë në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të rinj (EYOF), Sarajeva & Sarajeva Lindore 2019, që mbahet prej 9 deri 16 shkurt në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës.

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës në bashkëpunim me Federatën Skitare të Kosovës, ka vendosur që në EYOF Sarajeva & Sarajeva Lindore 2019 të dërgojë dy sportiste të skijimit alpin: Elba Kokaj dhe Klea Vrella.

Të dy skitaret, Kokaj (17-vjeçare) dhe Vrella (16), do të garojnë në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh.

Bashkë me sportistet do të udhëtojnë edhe trajnerët, Feim Kollçaku dhe Egzon Agani.

KOK do të dërgojë sportistet në përgatitje jashtë vendit, në mënyrë që të kenë paraqitje sa më të mirë.

Kosova është në mesin e 48 shteteve të Evropës që do të marrë pjesë në EYOF Sarajeva & Sarajeva Lindore 2019.

Për herë të parë në EYOF-in dimëror, KOK-u u paraqit në Erzurum 2017.