Zëvendësuesi i artë

Sport December 13, 2018 - 11:05

Askush nuk ka shënuar më shumë gola në Bundesligë këtë edicion sesa Paco Alcacer, edhe pse sulmuesi i ka luajtur vetëm tri ndeshje si titullar. Reprezentuesi spanjoll i ka shënuar nëntë prej dhjetë golave të tij në Bundesligë kur është inkuadruar nga banka rezervë. Falë golave të tij vendimtarë, Borussia Dortmundi kryeson tabelën e ligës gjermane

Kreu i tabelës së Bundesligës është transformuar që prej ditës së fundit të edicionit të kaluar, shkruan sot gazeta Zëri.

Bayern Munichu e mbylli garën dhe Jupp Heynckes e mbylli karrierën e tij si trajner me një humbje befasuese 4:1 në shtëpi nga Stuttgarti, por prapëseprapë ata e mbyllën edicionin në vendin e parë me një diferencë prej 21 pikësh, derisa triumfuan në Bundesligë për herë të gjashtë radhazi. Gjiganti bavarez tashmë është në pozitën e katërt dhe ka nëntë pikë më pak sesa lideri aktual Borussia Dortmund.

Dortmundi ka bërë një rrugë të gjatë për të ardhur deri këtu, pasi e mbylli edicionin në maj duke siguruar krejt në fund kualifikimin për këtë edicion të Ligës së Kampionëve.

Kur Pavel Kaderabek shënoi për rezultatin 3:1 në sfidën mes Hoffenheimit dhe Dortmundit vetëm 15 minuta para përfundimit të kohës së rregullt të takimit të fundit në ligë, golaverazhi i Dortmundit ishte vetëm për një më i mirë se i Bayer Leverkusenit, që kishte të njëjtën shifër të pikëve dhe po fitonte 3:0 ndaj Hannoverit.

Nëse Leverkuesi do të kishte shënuar edhe një gol, Dortmundi nuk do të mundë të luante në Ligën e Kampionëve, por dy golat e vonshëm të Hannoverit në minutat 94’ dhe 96’ e çuan Dortmundin në vendin e katërt.

Dortmundi kishte nevojë për një qasje të re në këtë verë dhe e filloi atë duke e shkarkuar trajnerin Peter Stoger.

Në vendin e tij u emërua Lucien Favre, i cili u rikthye në vendin ku kishte punuar për mrekulli me Hertha Berlinin dhe Borussia Monchengladbachun.

Trajneri zviceran e kishte ngjitur Hertha Berlinin nga vendi i dhjetë në të katërtin në dy vjetët e tij në kryeqytet para se të shpëtonte Borussia Monchengladbachun prej rënies nga liga në vitin 2011 dhe duke i siguruar vendin e katërt në sezonin e ardhshëm.

Në edicionin e fundit të plotë me Monchengladbachun në sezonin 2014/2015, klubi e mbylli edicionin në vendin e tretë në Bundesligë dhe u kualifikua në Ligën e Kampionëve.

Kohës së tij i erdhi fundi pas pesë humbjeve radhazi në fillim të edicionit pasues, por Favre u largua nga Gjermania me një reputacion të lartë.

Dortmundi pati shpresa të larta kur i kërkoi atij që ta rindërtonte skuadrën në këtë verë, por askush nuk mund të kishte besuar për një fillim të tillë.

Bayern Munichu nuk ka qenë edhe aq bindës këtë edicion nën urdhrat e trajnerit të rij, Niko Kovac, derisa Dortmundi ka shpërthyer, duke krijuar një avantazh prej shtatë pikësh me vendin e dytë dhe epërsi prej nëntë pikësh nga bavarezët.

Golaverazhi +24 pas 12 ndeshjeve është larg më i miri në ligë, gjë e cila tregon se ata janë duke i shkatërruar ekipet kundërshtare, por suksesi i tyre është i bazuar në gjakftohtësinë para portës.

Forca e tyre nuk është krijimi i shumë rasteve, por në realizimin e tyre. Dy fitoret e mëdha, 7:0 ndaj Nurnbergut dhe 4:0 ndaj Stuttgartit e bëjnë thuajse gjysmën e golaverazhit të tyre.

Në përgjithësi, ata nuk kanë qenë plotësisht dominues në ndeshje.

Në fakt, ata kanë bërë 56 goditje më pak sesa Bayerni dhe vetëm një më shumë sesa Fortuna Dusseldorfi, që zë pozitën e fundit në tabelë.

Dortmundi është në krye të ligës për shkak të efikasitetit të tyre të lartë.

Dortmundi ka konkretizuar 22% të goditjeve në portë këtë edicion, mesatarja më e mirë në ligë dhe dyfishi i Bayern Munichut (11%).

Për saktësinë para portës, një meritë të madhe e ka Paco Alcacer.

Spanjolli ka shkëlqyer që prej ardhjes në klub në formë huazimi nga Barcelona në gusht, një marrëveshje që tashmë është bërë e përhershme.

Ai është golashënuesi më i mirë në ligë me 10 gola, edhe pse ai ka luajtur si titullar në vetëm tri ndeshje.

Por nëntë prej këtyre golave ai i ka realizuar si zëvendësues. Falë kësaj statistike, ai e ka thyer rekordin e Bundesligës për një edicion të plotë dhe atë vetëm në fillim të dhjetorit.

Por, pse Alcacer nuk po luan si titullar? Pas së gjithash, Dortmundi nuk ka një nëntësh natyral për të mbajtur spanjollin jashtë ekipit.

Maximilian Philipp ka luajtur në qendër në gjashtë raste këtë edicion, por ai ka luajtur më shumë nga ana e majtë e sulmit në edicionin e kaluar.

Madje edhe Mario Gotze ka luajtur më shpesh si qendërsulmues sesa Alcacer këtë edicion në ligë.

Mosgatishmëria e Favresit për të zgjedhur golashënuesin e tij është për shkak të shqetësimeve me fituesin që ka pasur ai në të kaluarën, për shkak se kishte ngrohur për dy vjet stolin e Barcelonës.

Ndoshta trajneri është gjithashtu i mendimit që nëse një gjë nuk është e prishur, mos e ndreq.

Ekipi i tij është ende i pamposhtur pas 14 ndeshjeve, prej të cilave kanë 11 fitore.

Kur ka luajtur si zëvendësues, Alcacer ka shënuar gol në çdo 21 minuta, duke përfshirë edhe minutat shtesë, në të cilat ka realizuar tre gola.

Më shumë se gjysma e golave të Alcacerit (gjashtë prej 10 golave) kanë ardhur përtej minutës së 80-të, duke i siguruar nëntë pikë ekipit të tij, të mjaftueshme për të krijuar një avantazh ndaj Bayern Munichut.

Transferimi i verës e ka bërë diferencën për Favren, por ndoshta ai duhet të vazhdojë që të bëjë punën e tij nga stoli.

Sulmuesi e ka problemin e rrallë për të qenë shumë efikas kur hyn si zëvendësues për të qenë titullar.

Derisa hapet loja mes dy ekipeve, talentet sulmuese të Dortmundit kanë më shumë hapësirë dhe Alcacer mund të hyjë në lojë për t’i dhuruar finalizimet e tij.

Momentalisht ai është i përshtatshëm me sistemin e tanishëm dhe derisa statistikat e tij do të vazhdojnë të jenë të këtilla, lideri i Bundesligës nuk ka pse të ngutet që ta vendosë sulmuesin në formacionin e titullarëve. /Zëri/