Befasi sonte në Ligën e Kampionëve, kompletohen ekipet që kalojnë tutje

Sport December 12, 2018 - 23:20
Lexo Detajet

Real Madridi, Roma, Ajax, Bayern Munich, Manchester City, Lyon, Manchester United dhe Juventus janë 8 skuadrat e fundit që zyrtarisht kanë kaluar në fazën me eliminim direct të Ligës së Kampionëve. Disa prej tyre e kishin siguruar kualifikimin javën e kaluar, shkruan zeri.info.

Në ndeshjet që u luajtën sot, vakant ishte vetëm ekipi i dytë që do ta siguronte kualifikimin nga grupi F. Dhe Lyoni siguroi kualifikimin tutje pas barazimit 1-1 me Shakhtar Donetskun në Ukrainë. Moraes shënoi për vendasit në pjesën e parë kurse Fekir iu përgjigj në të dytën, me golin që ishte i mjaftueshëm për t’u kualifikuar tutje. Në këtë grup si i pari u kualifikua Man.City që mposhti 2-1 Hoffenheimin.

Mbrëmja e sotme dhuroi edhe befasi. Në grupin H humbën edhe Juventus edhe Manchester United që kishin siguruar më herët kualifikimin. Ekipi nga Torino u mposht 2-1 nga Young Boys Bern si mysafir. Hoarau shënoi dy herë për vendasit përpara se Dybala ta shënonte golin e vetëm për mysafirët. Në ndeshjen Valencia-Man.United, vendasit triumfuan 2-1. Soler dhe një autogol qesharak i Jones i dhanë epërsinë 2-0 vendasve përpara se Rashford ta shënonte golin e vetëm për mysafirët në fund. Juventus e përfundon si e para kurse United si e dyta në grup.

Ndeshje interesante ishte edhe mes Ajaxit dhe Bayern Munich që përfundoi 3-3. Mysafirët 2 herë dhe vendasit një herë ishin në epërsi por ndeshja përfundoi pa fitues çka e lë Bayernin në vendin e parë e Ajaxin në të dytin. Për vendasit shënoi Tadic dy herë dhe Tagliafico kurse për mysafirët dy herë realizoi Lewandowski dhe një Coman.

Në ndeshjet e tjera Reali u turpërua 0-3 në shtëpi nga CSKA-ja e Moskës ndërsa Roma humbi ndaj Plzen si mysafire me rezultat 2-1. Reali e përfundon si i pari kurse Roma si e dyta.

Kujtojmë se mbrëmë zyrtarisht kaluan tutje Barcelona, Tottenham, Liverpool, PSG, Schalke, Porto, Dortmund dhe Atletico Madrid, shkruan zeri.info.

Kujtojmë që shorti për 1/16 hidhet të hënën me fillim nga ora 12:00./ZERI